Alpin Gallo, ish-futbollist dhe trajner, pjesë e përhershme e emisionit “Pressing” në ABC, analizon duelin Vllaznia-Teuta. Dy ekipet e vendeve të parë të Superiores, ndeshen mes tyre nesër në “Loro Boriçi”, sfidë që nis prej orës 18:00.

“Vllaznia ka bërë shumë mirë deri tani, ka marrë pikët e duhura. Nuk ka pse të ketë presion ndaj Teutës nesër. Teuta është ndërtuar për titull, por nuk ka treguar asnjë lloj cilësie për të qenë kampione. Ka patur shumë oshilacione deri tani.

Më stabël, edhe me ekipet elitare, është Vllaznia. Ka bërë shumë mirë, ishte agresive edhe në ndeshjen ndaj Tiranës, mund ta fitonte ndeshjen me pak fat. Problemi më i madh i Teutës është sulmi.

Vllaznia është shumë herë më e qartë, më agresive dhe më taktike. Nëse Vllaznia fiton, krijohet një hapësirë ku Vllaznia mund të gabojë në të ardhmen, distanca e bën ekipin shkodran më komod gjatë rrugëtimit. Ekipet e tjera nuk mund të gabojnë më”, deklaron Gallo. /abcnews/