Klubet kryesore në Spanjë po vuajnë në mënyrë të ndjeshme pasojat e pandemisë pasi zbrazja e stadiumeve ka sjellë humbje financiare të rëndësishme. Një krizë që është pasuar me probleme brenda këtyre klubeve, pasi lojtarët nuk duan që të ulin rrogat. Kjo situatë është ndeshur te Barcelona e tani edhe te Real Madrid, ku zërat për merkaton e verës kanë acaruar futbollistët.

Lojtarët kanë pranuar në vitin e fundit të ulin me 10% rrogat e tyre, por duket se nuk kanë ndër mend ta bëjnë përsëri një gjë të tillë. Mediat në Spanjë raportojnë se te Reali, futbollistët janë të pakënaqur pasi kanë mësuar se ndërsa klubi planifikon që të mbajë 10% të rrogës së tyre edhe në vijim, po bën gati oferta stratosferike për blerjen dhe pagat e emrave si Mbape apo Kamavinga. Ndaj ata e cilësojnë të padrejtë që në një moment kur atyre u kërkohet sakrificë, klubi gjen fonde për të bërë pagesa mbi normalen kur bëhet fjalë për periudhë krize.

Situata ka bërë që edhe rinovimi i kontratave të emrave si Serxhio Ramos dhe Luka Modriç të përfundojë në mënyrë negative. Reali u ka kërkuar atyre që të pranojnë ulej 10% për sa kohë që zgjat situata e pandemisë.

Por gjendja në Spanjë nuk është duke u përmirësuar dhe nëse hedhin firmën në kontratë, për një peroudhë dyvjeçare, të dy lojtarët do të humbisnin 2-3 milonë euro vetëm nga kjo lëvizje e klubit. Kjo ka qenë nëj nga arsyet pse ata për momentin kanë refuzuar të hedhin firmën në marrëveshjen që u është propozuar nga Reali. /vipsport.al/