Burreli vijon stërvitjen për t’u bërë gati për rinisjen e kampionatit më 16 janar. Matjanët vendosën që ta kryejnë një minifazë në zonën e Golemit të Kavajës.

Trajneri Samuel Nikaj po e përgatit skuadrën në fushën me bar sintetik në Kavajë, por edhe me seanca në rërën e plazhit në breg të detit.

Deri tani i vetmi afrim zyrtar është mbrojtësi kosovar, Ardian Shaljani, ndërsa priten edhe lojtarë të tjerë. Synimi i matjanëve është forcimi i mesfushës për të vijuar objektivin kryesor të tyre, ngjitjen në Superiore.

“Po punojmë maksimalisht me skuadrën. Kemi ardhur këtu jo për turizëm, por për t’u stërvitur. E kemi shfrytëzuar në maksimum kohën dhe paralelisht po bëjmë edhe merkato.

Të gjithë ata që duan të provojnë veten për të qenë pjesë e Burrelit, të na kontaktojnë dhe të vijnë të na bashkohen në stërvitje”, ka thënë dje Nikaj për “Panorama Sport”.