Fitorja 1-0 ndaj Teutës është me patjetër një sukses mëse i merituar për të besuarit e Thomas Brdariç. Shkodranët kryesojnë tabelën me 29 pikë të grumbulluara në 13 javët e para të kategorisë Superiore duke u bërë pretendentët kryesorë për titullin kampion.

Ndonëse ekipi i Teutës njihet për mbrojtjen më të mirë, ajo çfarë ra në sy gjatë ndeshjes ishte dhe prapavija e pakalueshme e shkodranëve. Një mbrojtje e shkëlqyer që për asnjë moment nuk i la hapësirë avancimi i djemve të detit.

Në këtë sfidë pamë një Vllazni me një mbrojtje shumë të mirë, me mjaft rezistencë dhe që arrinte të dilte shpejt në kundërsulm. Një ndër pikat kyçe të kësaj mbrojtje ishte dhe shqiptari i Maqedonisë së veriut Mevlan Adili.

Mbrojtësi i afruar tek Vllaznia janarin e vitit të shkuar, tashmë është shndërruar në një nga futbollistët kryesorë të skuadrës shkodrane falë paraqitjes së tij të shkëlqyer.
Ketjola Gështenja