Vllaznia është duke mbajtur kryesimin në Superiore dhe po vazhdon që të afrohet me titullin kampion pas çdo jave. Në futbollin europian ka shumë ndryshime sa i përket vendeve të para që po kryesohen aktualisht, teksa edhe në Itali është Milani ka dalë tërësisht jashtë të gjitha pritshmërive.

Futbollisti i Vllaznisë, Ardit Hoxhaj, i ftuar në emisionin “Fax Sport” nuk ngurron që të bëjë një krahasim me kuqezinjtë e Milanos atje ku veten e përafron me Leaon, ndërsa Dilaver “pagëzohet” si Zlatan Ibrahimoviç. Fillimisht heroi i shkodranëve në këto takime të fundit tregon më tepër për çelësin e suksesit të fitoreve.

Ne kemi shumë harmoni në skuadër. Lojtarët tanë janë shumë cilësor, pasi ndryshe nuk do të arriheshin rezultatet. Por gjithashtu janë edhe djemë shumë të mirë. Kjo është e rëndësishme pasi nëse do të kishte disa të këqinj, atëherë do të prishej fryma e grupit.

Në stërvitje ne kemi shumë disiplinë me Bradriç. Por ai është edhe shumë i komunikueshëm. Di të flas edhe më ata lojtarë që qëndrojnë në stol dhe janë të pakënaqur. Unë kam qëndruar gjithashtu në stol fillimisht, mbajti komunikimin me mua dhe më tha se kishte ardhur momenti.

Kë mbështes në Europë? Tani mund ta them me plot gojën se jam tifoz i Milanit se jemi në vendin e parë. Unë vetë e mendoj dhe njerëzit na thonë: “Ju jeni si Milani, po zhvilloni këtë lojën e bukur, po nuk i dihet sesa do e keni hapin”.

E unë që i them: “Në rregull, ne po vazhdojmë këtë lojën e bukur dhe në fund do t’ju themi sesa e kemi hapin”. Dilaver do të ishte Ibrahimoviç dhe unë si Leao”, ka thënë Hoxhaj. /Sport Ekspres/