Vllaznia do të ketë jo pak, por 3 mungesa në ndeshjen e nesërme ndaj Kukësit, që do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”. Përveç brazilianit Viktor da Silva të dëmtuar, do të mungojnë kapiteni Gurishta dhe sulmuesi Ardit Hoxhaj për shkaqe kartonësh.

Kjo ka bërë që trajneri Tomas Brdariç të punojë për të provuar zëvendësuesit e tyre. Nga sa është parë në seancat e fundit, ai ka skicuar edhe dy lëvizjet që do të bëjë ndaj kuksianëve.

Arsid Kruja, një nga lojtarët stabël në gjashtë javët e para të kampionatit, pritet që të startojë titullar në këtë takim si mbrojtës i djathtë në vend të Gurishtës.

Gjasat janë që skema nga 3-5-2 të bëhet 4-2-3- 1, për t’iu përshtatur edhe kundërshtarit. Edhe ndryshimi tjetër në formacion pritet që të jetë sërish kokë më kokë. Në vend të Ardit Hoxhajt në sulm, duke ndihmuar boshnjakun Dilaver, pritet që të jetë Arlind Kalaja.