Vendi i parë që mban prej 14 javësh, kryesimi me 9 pikë më shumë se ndjekëset më të afërta, loja e bukur që po zhvillon, në fakt duket se ende nuk mjaftojnë për disa analistë e specialistë që në studiot e kryeqytetit nuk kanë dëshirë ende ta konsiderojnë Vllazninë pretendenten kryesore për fitimin e titullit kampion sivjet.

Por ata kanë marrë një reagim shumë të ashpër nga një shkodran i mirë. Bëhet fjalë për Meridan Ramçaj, ish-banor i “Big Brother”, menaxheri i shumë lokaleve të njohura në Tiranë, i cili në njëfarë periudhe pat zgjedhur të merrej edhe me politikë.

Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Ora Sport” ku ka replikuar jo pak me gazetarin Altin Sulçe duke ngritur “në qiell” Vllazninë për mënyrën si ajo po paraqitet në këtë kampionat. Ja si është shprehur Ramçaj:

“Kam dëgjuar e lexuar shumë kohët e fundit në media, portale e gazeta kur shkruanin se Vllaznia është në ëndërr e do të zgjohet shumë shpejt. Ndoshta ka ardhur momenti tani të zgjohen gazetarët dhe portalet sepse tani Vllaznia nuk është më një ëndërr.

Vllaznia tashmë ëshë një realitet, është bukuria e kampionatit sivjet. Ajo është një skuadër ku nuk e di se kush shënon, por e sigurtë është që dikush do shënojë patjetër. Vllaznia po bën një futboll shumë të bukur.

Deri para fillimit të kampionatit, Vllaznia ka qenë si ato fëmijët jetimë që kishin vetëm nënën dhe babain e kishin në emigrim. Nëna gjithmonë kishte frikë se mos i iknin fëmijët, i linte pa atë përkujdesjen e duhur.

Në këtë moment, u kthye babai nga emigrimi, ka marrë frenat e familjes në dorë dhe Vllaznia është këtu ku është sot. Vllaznia po luan jashtëzakonisht bukur. Më thoni një ekip në këto 5 vitet e fundit që e ka mbajtur topin 134 sekonda pa humbur në fushën kundërshtare.

E ka bërë këtë me shumë pasime. Në futbollin shqiptar zakonisht ekipet nuk arrijnë të përfundojnë tre pasime. Vllaznia në njëfarë mënyre po luan tiki- taka, po bën atë futboll që ka bërë Barcelona prej vitesh dhe ndoshta kjo ka ardhur edhe nga ajo shprehja që përdornin shkodranët vite më parë, “O Vllaznia, Barcelona, se fitorja është e jona”./SHKODRA-SPORT.COM/