Vllaznia luan sot një ndeshje delikate në Ballsh për shumë arsye. Bylisi nuk është asnjëherë një kundërshtar komod për çdo skuadër të Superiores, aq më tepër kur luan në stadiumin “Adush Muça”.

Pozicioni ku ndodhen aktualisht ballshiotët, terreni që mund të jetë i rënduar dhe natyrisht loja agresive që bën ekipi i Dovedan, janë disa faktorë që mund t’i prishin punë ecurisë së kuqebluve. Megjithatë, ky kampionat ka treguar se Vllaznia ka ditur të marrë pikët e plota edhe kur shkalla e vështirësisë ka qenë maksimale, veçanërisht në transferta.

Kësisoj, tri pikë në transfertën e sotme mund të përktheheshin si një hap gjigant drejt titullit, edhe për faktin se rivalët kanë ndeshje po kaq të forta sa Vllaznia.

Teuta luan sot në të njëjtën orë në transfertë ndaj Kastriotit, por skuadra e Tomas Brdariçit mund të përfitojë edhe nga rezultati i derbit Partizani-Tirana. Gjithsesi, kjo është thjesht një llogari, pasi një humbje e Vllaznisë në Ballsh mund të afronte me kreun skuadra si Teuta, Partizani etj.