Nuk i përzgjodhëm rastësisht! Ata janë të gjithë trajnerë kampionë. Kanë filozofi të ndryshme dhe pa dyshim histori të veçanta, por sot askush më shumë dhe më mirë se ata nuk mund të flasin për titullin.

Janë njerëz që e kanë shkruar historinë në futbollin tonë. Kanë duruar presione, u kanë bërë ballë intrigave brenda dhe jashtë klubit, kanë qetësuar koka të nxehta, kanë bërë shembuj talente dhe i kanë marrë më të mirën një grupi që ndoshta edhe mund të mos ishte projektuar në fillim për kampion.

Ka edhe një arsye tjetër se përse kemi zgjedhur pikërisht këta: sepse sot janë jashtë konfliktit të interesit. Nuk punojnë në ndonjë klub të Kategorisë Superiore dhe aq më pak te pretendentët për titull.

Natyrisht, kanë edhe pak subjektivizëm, sepse historia e tyre si lojtarë apo trajnerë me një fanellë edhe mund të ndikojë disi në analizën që bëjnë, por në fund të fundit mbeten profesionistë.

Ata e dinë se kush po e “gatuan” më mirë titullin këtë sezon në Superiore dhe flasin me argumente. Konkluzioni i “votave” të tyre në “Panorama Sport” është befasues. Për të 12-të këto personazhe, ka vetëm një favorite: Vllaznia.