Ka shënuar sërish ai: Ardit Hoxhaj. Të tetin gol personal që i jep Vllaznisë një tjetër trepikësh me shumë vlerë. Ai i djeshmi në Ballsh në minutën e 95-të kuptohet që merr një rëndësi të madhe sepse i ka dhënë tre pikë shumë përcaktuese kuqebluve. Vetë sulmuesi në një prononcim për mediat pas ndeshjes është shprehur i lumtur për këtë gol dhe fitore.

“Sigurisht që jam i lumtur për këtë gol sepse për më tepër u shënua në minutën e 95-të. Një gol që na dha tre pikët e sigurisht që unë u bëra protagonist duke ndihmuar skuadrën në një ndeshje delikate. Ky trepikësh mund të na vlejë shumë si hap i rëndësishëm drejt titullit kampion- u shpreh fillimisht sulmuesi vlonjat.

Ai ka luajtur më parë në Ballsh dhe sigurisht që një gol i tillë ka djegur jo pak, megjithatë Hoxhaj ende ruan kujtime të bukura nga ato vite kur ka qenë pjesë e kësaj skuadre e për këtë thotë: “Unë kam respekt për ekipin e Bylisit dhe gjithë Mallakastrën. Nuk do ta harroj kurrë atë periudhë kur kam luajtur me të, por edhe tifozët e kësaj skuadre.

Sigurisht që kishte edhe nga ata që më ofenduan, por janë një pakicë. Gjithsesi unë jam profesionist, bëj detyrën time në fushë. Bylis ka një ekip simpatik dhe u bë një ndeshje e bukur dhe e fortë”.

I pyetur se me këtë fitore, a hodhi Vllaznia një hap të sigurtë drejt titullit, Hoxhaj do të përgjigjej: “Ishte një fitore në ndeshjen e rradhës por sigurisht që na vlen shumë. Për titullin ka ende shumë rrugë përpara, pasi do të luajmë edhe e rivalët dhe janë takime përcaktuese. Po ruajmë ritmin, jemi në rrugë të mbaë dhe besojmë se do të jemi ne skuadra që do të shkojmë te titulli kampion”./SHKODRA-SPORT.COM/