Hysen Dedja ndien keqardhje për kushtet ku stërvitet Lushnja. Ish-trajneri i verdhejeshilëve në tri periudha të ndryshme mendon se mungesa e investimeve mund ta pengojë ekipin në realizimin e objektivave. Në një opinion për gazetën “Panorama Sport”, shkodrani i bën thirrje bashkisë dhe qeverisë që të ndërhyjnë.

“Kjo është periudha më e vështirë që ka Lushnja. Është një skuadër që nuk ka ku të stërvitet. Në kushtet e motit me lagështirë, është gati e pamundur të kryejë programin javor. Ky problem i përvitshëm po bëhet pengesë që ekipi të arrijë rezultatin sportiv. Lushnja nuk ka fushë stërvitore.

Ekzistojnë fizikisht, por nuk kanë asnjë kusht. Duhet të ndërhyjë Bashkia e Lushnjës apo qeveria. Nëse ka një vend ku investimi ka ndikim në komunitet, ky është qyteti i Lushnjës.

Një qytet i dashuruar me futbollin. Vetëm bashkëpunimi bashki-qeveri mund t’i japë zgjidhje infrastrukturës më të dobët në vend”, është shprehur 60-vjeçari.

ANALIZA – Ish-trajneri analizon edhe ekipin, ndërsa hapur e thotë që prodhojnë futbollin më të mirë të Grupit B të Kategorisë së Parë. “Lushnjën e quaj pretendente. Vërtet Egnatia është klubi që ka investuar më shumë, por do të thosha se Lushnja ka skuadrën më të mirë të grupit. Përtej shumë vështirësive është me meritë në vendin e tretë.

Është një skuadër që të kënaq kur e shikon. Me një lojë të rrjedhshme, me pasime. Janë afruar djem të rinj që luajnë me dëshirë. Ndryshimet që ka bërë, kanë rezultuar pozitive. Më bind edhe ruajtja e grupin, gjë që duhet të ndodhë edhe sezonin e ardhshëm.

Tri pikë diferencë nga kreu janë të rikuperueshme. Lushnja duhet t’i godasë rivalët që në ndeshjet e para të fazës së dytë për të marrë terren në tabelë. Është një 4-she e pozicionuar, por Egnatia dhe Lushnja do të ecin më shumë”, deklaroi shkodrani.