Nuk ka munguar analiza e Shkëlqim Muëçs në Rubrika Sportive në RTSH Sport, duke folur për gjithçka që ka ndodhur në javën e 16-të të Kategorisë Superiore.

Teuta-Partizani: Rezultati iu përgjigj lojës – “Një ndeshje e luftuar fortë, në një terren që nuk ndihmoi shumë në cilësi. Partizani ishte i vendosur mirë taktikisht, por mendoj se duhet ti kishte bërë pak më shpejt ndryshimet. Në 15 minutat e fundit, Teuta sikur u çorientuar.

Durrsakët kishin një qarkullim më të madh, dominuan në goditjet standarte, por nuk kishte ndonjë diferencë, Partizani nuk u rrezikua. Mendoj se barazimi ishte rezultat normal për një ndeshje të tillë. Partizani u paraqit shumë mirë në mbrojtje, por duhet të guxojë më shumë në fazën sulmuese”.

Tirana-Laçi – Drejtuesit në konflikt, ndikim te skuadra – “Konflikti mes drejtuesve transmetohet edhe te skuadra. Tirana ishte e tronditur, asnjëherë nuk doli në lojën e saj, ishte e zbuluar në mesfushë, Laçi e kapi. Pasi u bënë ndërrimet, skuadra e çorientua totalisht. Laçi është një skuadër e konturuar mirë, edhe nëse do kishte dalë barazim në këtë sfidë, nuk do të ishte mirë. Ka lënë pikë gjatë rrugës, e pafalshme, por është një skuadër e mirë, me shumë alternative”.

“Largimi i Dedes? Duhej të arrihej një kompromis, të bëhej ndeshja, pa i shfaqur këto problem. Më pas, mund të bëheshin këto lëvizje. Nuk lihet ekipi 15 minuta para ndeshjes. Një i tretë duhet të kishte ndërhyrë mes palëve dhe takishte sheshuar këtë problem, të paktën sa për këtë ndeshje. Më pas gjërat zgjidheshin në një tavolinë”.

“Edhe unë e kam drejtuar Tiranën, por asnjëherë nuk kam pasur ndërhyrje nga Halili. Presidenti ka të drejtë të pyes për formacionin, se kush luan. Por ajo që ndodhi nuk ishte e mirë, si për Halilin ashtu edhe për trajnerin Dede”.

VLLAZNIA-KASTRIOTI: Barazimi nuk është dramë – “Vllaznia ishte në një nivel pak më të ulët se në ndeshjet e tjera, por kjo dhe për meritë të kundërshtarit. Kastrioti në aspektin mbrojtës bëri maksimumin. Nuk është një dramë për Vllazninë, ishte një hap i gabuar, edhe terreni ishte i vështirë. Tani kanë një ndeshje shumë të vështirë përpara, atë me Partizanin”.

KUKËSI-BYLIS: Fitore e rëndësishme – “Kukësi vazhdon të ketë problem, sidomos në aspektin mbrojtës, me lojtarë jo në pozicionet etyre. Në sulm ka lojtarë që mund të bëjnë punën e tyre. Megjithatë, ishte një fitore shumë e rëndësishme”.

“Mirel Josa është një trajner që ka ndërtuar profilin e tij, i qetë, që punon. Besoj se do të bëjë një punë të mirë nëse do mbështetet, do ndryshojë shumë gjëra.

SKËNDERBEU-APOLONIA – Barazimi i mbijetesës – “Mendoj se Apolonia kishte shkuar për barazim në këtë sfidë”.