Barazimi me Kastriotin në “Loro Boriçi” ka lënë një shije të hidhur te Vllaznia. Kapiteni Erdenis Gurishta mendon se, përveç fatit që nuk ishte me shkodranët, më tepër ndikuan vonesat e lojtarëve kundërshtarë dhe futja disa herë në fushë e doktorit të skuadrës.

I ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” në “Top Channel”, mbrojtësi i djathtë theksoi se vetëm në këtë mënyrë mund të ndalet Vllaznia.

Megjithatë, ai është i bindur se në kryendeshjen ndaj Partizanit, skuadra shkodrane do të marrë tri pikë, duke i bërë një dhuratë edhe trajnerit Brdariç, i cili kishte ditëlindjen pak ditë më parë.

“Të them të drejtën, më tepër nuk është luajtur futboll në ndeshjen me Kastriotin. Donim ta fitonim dhe ndoshta u nervozuam disi, por më ka bërë shumë përshtypje interpretimi i lojës së Kastriotit. Kishte zgjedhur një tjetër mënyrë në ndryshim nga përballjet me Tiranën dhe Partizanin.

Lojtarët e Kastriotit rrinin gjatë gjithë kohës në tokë, ndërsa doktori i tyre vetëm hynte në fushë. Ndoshta është kjo e vetmja mënyrë se si mund të ndalet Vllaznia.

U kisha thënë çunave se më e vështirë do të ishte ndeshja me Kastriotin sesa ajo me Partizanin. Megjithatë, ashtu si u gëzuan ekipet e tjera kur ne barazuam, edhe ne gëzohemi tani me pikën që ndanë Teuta e Partizani.

Dhuratën për trajnerin Brdariç, që kishte ditëlindjen një ditë para ndeshjes me Kastriotin, e kemi shtyrë për të dielën me Partizanin. Pres të jetë një ndeshje e hapur dhe do të kërkojmë fitoren”, ka thënë lideri i Vllaznisë.