Edmond Dosti, ish-sulmuesi i njohur i Partizanit dhe përfaqësueses shqiptare, është i mendimit se ky do të jetë një kampionat shumë i bukur për shkak të rivalitetit që është krijuar.

Në një intervistë për “Syri TV”, ai ka argumentuar se pse i sheh Partizanin e Laçin si rivalë më të afërt me Vllazninë ndërsa zbulon edhe sekretin se si mund të ndalen shkodranët edhe në vijim.

“Ky i këtij viti është kampionati më i bukur i viteve të fundit. Këtë bukuri ia dha fitorja e Laçit që ndali Vllazninë në shtëpinë e vet dhe hapi edhe një herë luftën për titullin. Kjo I dha mundësi edhe ekipeve të tjera si Partizanit, vetë Laçit e Teutës, e deri diku edhe Tiranës.

Mendoj që Vllaznia nuk është shumë pikë larg, por as pak. Është shumë interesant, për mendimin tim do të jenë deri rnë fund kundërshtarë të denjë Partizani dhe Laçi. Diçka i mungon Teutës, nuk është ajo Teuta që edhe unë prisja, kryesorja është mosshënimi i golave. Po nuk shënove, nuk fiton dot ndeshjen.

Gabimet Kukësi dhe Tirana i kanë bërë vetë, se të dyja kishin ekipe. Tirana vinte me ekip kampion, shumë të mirë, bëri gabimin e ndërrimit të trajnerit dhe pastaj erdhi ikja e lojtarëve. E njëjta edhe te Kukësi. Unë problemin e shoh që janë te presidentët, duan ta ndihmojnë ekipin por nga ana tjetër i bëjnë pa dashje dëm.

Ekipi për mua duhet që në qershor të dihet kush është edhe trajneri, i duhet dhënë kohë të paktën një vit e gjysmë e dy për të bërë ekip. Tirana e kishte, edhe Kukësi e kishte, nuk e di për çfarë arsye, por problemet t’i shohin më shumë te vetja se te dikush tjetër.

Partizani goditjen më të mirë e bëri në qershor me afrimin e trajnerit Daja. Partizani kishte ekipin, po nuk kishte mundësi që të bënte merkato, i kërkohet në janar. Partizani është solid, ndaj thashë që janë dy ekipet që kanë skuadra që mund të jenë denjësisht për të fituar këtë kampionat, rivale kryesore për Vllazninë.

Këto ardhjet e reja mendoj se do të jenë të goditura, por t’ia lëmë kohës. Partizani e ka potencialin, lojtarët i ka, shpresoj që të bëjë mire dhe të shohë nga ndeshja në ndeshje, të mos shohë çfarë po bën Vllaznia, Vllaznia ka punën e vet. Partizani të fitojë ndeshjet, të bëjë mirë, kjo është më e mira që të arrijë ku do.

Vllaznia? Ekipi është, edhe pse është i ri. Të paktën një sekret mund t’ua jap skuadrave të tjera, Marku është koka e truri te Vllaznia. Nëse bllokohet, Vllaznia ka probleme në mesfushë. Këtë bëri Duro, i cili është një ndër më të mirët në Shqipëri, e bllokoi dhe fitoi ndeshjen.

Vllaznia duhet të shohë se do të ketë mungesa për kartonë e dëmtime, ta shohim sa do të mbajë presionin se është ekip i ri i ndërtuar këtë vit. Me meritë është ku është, do të jetë një ndër më të bukurit deri në fund”, ishte parashikimi I Dostit. /vipsport/