Zlatan Ibrahimoviç nuk ka dyshime se kush është futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve, ai të cilin suedezi e vlerëson si idhullin e tij dhe do të dëshironte që ta kopjonte në gjithçka.

Sulmuesi i Milanit ka bërë të ditur gjatë një intervistë për “Discovery Plus” se lojtari që ka admiruar më shumë ishte Ronaldo braziliani dhe se për të, ai ishte më i miri i të gjitha kohëve.

“Ronaldo “Fenomeni”. Ai ishte lojtari më i kompletuar. Ka lojtarë që luajnë, por për mua ai është futbolli vetë. Duke e parë të luajë, çdokush do të dëshironte të bënte si ai. Ai ka ndryshuar lojën plotësisht, mënyra se si lëvizte, mënyra se si driblonte. SIpas meje, është më i miri i historisë”, theksoi Ibra.

Gjatë intervistës ai ka treguar edhe çelësin e suksesit dhe urisë që ka për të luajtur futboll edhe në këtë moshë. “Përgjigja është e thjeshtë, unë nuk kam humbur kurrë pasionin për atë që bëj. Dhe kur zbres në fushë, sidomos pas dëmtimit, sa herë që prek topin ndjehem si një fëmijë i vogël që ha karamele për here të parë.

Jam i lumtur dhe mirënjohës për çdo herë që mund të vesh këpucët e futbollit, të zbres në fushë, të ndjej erën e barit, të marr topin e ta prek sa më shumë që të jetë e mundur”, shpjegoi Ibrahimoviç. /vipsport/