Ka mjaftuar një seancë stërvitore dhe një gol në ndeshjen brenda skuadrës, që Ernest Muçi të bëjë për vete trajnerin e tij te Legia e Varshavës, Çezlav Mishnieviçz.

19-vjeçari ka treguar talentin e tij në lëvizje, qarkullimin e topit, driblime dhe shumë të tjera të cilat e kanë bërë trajnerin ta quajë ish-sulmuesin e Tiranës si “Mesi i ekipit”. Tekniku i Legias, ka theksuar se me shumë mundësi do të detyrohet të ndryshojë skemë, pasi nuk mund të lejë në stol një futbollist si Muçi.

“Sa për Mesin tonë, ai është gati të luajë. Është i lirshëm, ka vision, mundohet të vertikalizojë. Do të jetë një mbështetës interesant për Kaputska apo Lukinjas. Mendoj se do të detyrohem ta ndryshoj sërish skemën, kështu të gjithë ata që janë më kreativë të mund të luajnë sepse është gjynah ta mbash në stol një djalosh të tillë.

Ai është gati, e dallon që është në mes të sezonit dhe ka aftësi të shkëlqyera. Liri, kupton lojën, lëvizje… Ai ishte gjithkund, duke ndihmuar skuadrën ku të mundej. Jam shumë i kënaqur me të. Nga të gjithë lojtarët e rinj të ardhur nga merkato që u paraqitën në stërvitje, Muçi është më afër top formës”, u shpreh trajneri Mishnieviçz. /VipSport.al/