Marash Kumbulla do të mbetet jashtë Ligës së Europës edhe në këtë javë, pasi nuk ka rikuperuar plotësisht nga dëmtimi që pësoi dy javë më parë. Trajneri Fonseka ka vendosur që të mos e rrezikojë lojtarin në sfidën e kthimit ndaj Bragës, duke pasur parasysh edhe avantazhin 2-0 pas sfidës së parë.

Ndaj Kumbulla do ta shohë takimin e sotëm nga televizori, duke bërë tifo sigurisht për skuadrën e tij, të cilën ka dashur ta motivojë para duelit me një nga kujtimet e tij më të bukura, golin e parë të shënuar me klubin e tij në arenën ndërkombëtare.

Kumbulla shënoi në fazën e grupeve të turneut në ndeshjen kundër Jang Bojz dhe ai ka ndarë në rrjetet sociale pikërisht këtë gol.

“Kthim në kohë te goli im i parë si verdhekuq. Një e enjte e paharrueshme. Forca për sot djema”, shkruante mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare. /vipsport.al/