Me nj trajneri si Brdariç, Vllaznia nuk ka arritur vetëm suksese në rezultatet e marra, por njëkohësisht edhe jehonën e mediave europiane. Thuajse në çdo javë janë mediat më të njohura sportive në Gjermani që intervistojnë figurën e njohur për futbollin e tyre, Brdariç.

Këtë herë është media prestigjoze “Goal” që ka sjellë në vëmendje intervistën e trajnerit të Vllaznisë për “Sport Bild”. “Jam krenar dhe i mbingarkuar nga euforia që rrethon ekipin tonë këtu në Shkodër. Kemi zgjuar një qytet të tërë. Por arti është që të mbajmë këtë gjendje deri në fund të sezonit. Nëse do e arrijmë, do të ishte çmenduri e pastër.

Kur fituam në shifrat 1-0 ndaj Bylisit, tifozët na përshëndetën me 500 makina përmes Shkodrës. Nuk e kisha përjetur kurrë një gjë të tillë më parë pasi nuk kemi fituar ende asgjë”.

Këto fjalë të thëna nga ana e trajnerit Brdariç janë pasqyruar edhe nga “Goal”, media e njohur në Europë që tregon gjithë aventurën e trajnerit në Shqipëri. Këtë herë Vllaznia po fiton në shumë drejtime për të pasur edhe reklamimin falas që i vjen falë teknikut që gjendet i ulur në stolin e saj. /Sport Ekspres/