Mbrojtësi i Vllaznisë, Eni Imami ka folur përpara ndeshjes që shkodranët luajnë me Tiranën. Në “Loro Boriçi”, nesër në 13:00 dy skuadrat do përballen në javën e 21 të Superligës.

Mëngjarashi që ka qenë më parë pjesë e bardhebluve për dy vite ka treguar respekt për ish-skuadrën, ndërsa ka dëshirë të shënojë për tri pikët e radhës. Imami tregon se kërkonte fitore në Korçë, teksa presioni i tifozëve ka bërë që skuadra të kishte vetëkënaqësi.

“Të them të drejtën jemi zhgënjyer pak nga barazimi me Skënderbeun, prisnim fitore por gjithsesi këto janë gjëra që ndodhin në sport. Kemi fituar ndeshje që njerëzve nuk ia u merrte mendja se do e bënim dhe kemi lënë pikë aty ku s’duhet. Gjithsesi kam besim se jemi në pozicion të mirë për të pritur Tiranën nesër dhe do dalim me tri pikë.

Vini si një ish, keni emocione? U bë e disata ndeshje që po luaj kundër “Tironës” dhe kisha pak emocion ndeshjen e parë kundër Skënderbeut, por tani kanë ikur dhe jo, nuk kam emocione. Sigurisht është kënaqësi por vetëm aq.

Atmosfera në Shkodër? Ka ndikuar edhe pak për keq, sepse të them të drejtën na shpallën kampionë para kohe dhe na dha një farë vetëkënaqësie ne futbollistëve dhe them se prandaj është kjo rënia kështu. Veç kësaj pjese, njerëzit këtu janë të mrekullueshëm dhe e dashurojnë me të vërtetë sportin. Përgatitjet e pragndeshjes në stadiumin me banderolë kanë qenë shumë të bukura.

Tirana pa pretendime këtë sezon? Unë kam qenë dy vjet pjesë e Tiranës dhe e di që pretendimet e tyre do jenë deri në javën e fundit të kampionatit. Duke ditur këtë gjë kam vlerësimin maksimal si unë dhe stafi për Tiranën.

Një fitore nesër të çon në rrugë drejt titullit? Unë kam thënë edhe kur kemi qenë nëntë pikë para se kampionati është I gjatë dhe I vështirë. Një fitore nesër na jep besim dhe moral por që të thuash se na shpall kampion, nuk e them dot.

I druheni aleancave? Unë nuk e di nëse janë bërë aleanca këtë vit në kampionatin shqiptar. Ne do bëjmë punën tonë dhe çfarë të jetë më pas.

Gol? Të gjithë e duan, do ishte perfekte por le të shënojë kush të dojë, mjafton që të marrim fitoren se do ishte perfekte”, tha Imami./newsport/