Kukësi tashmë ka “finalen” e tretë mbas për balljeve me Tiranën e Partizanin. Në vigjilje të sfidës me Teutën trajneri i Kukësit, Mirel Josa, ka dalë dje përpara mediave, ku komentoi sfidën e javës së 21-të që do ta luajnë në Durrës. Josa vlerësoi kundërshtarin, ku theksoi se Teuta e drejtuar nga trajneri Edi Martini ka futbollistë me eksperiencë dhe një skuadër të mirekuilibruar, por kjo gjë nuk e pengon Kukësin të mendojë për veten dhe synimet.

Më tej trajneri Josa theksoi se nuk duhet të mendojnë për humbjen ndaj Partizanit, por të shohin përpara dhe të punojnë për gjendjen psikologjike të skuadrës. Gjithashtu, ai kërkoi që të mos përsëriten gabimet e mëparshme. Ndërsa ai vetë kërkon çdoherë përmirësimin e skuadrës, pasi Kukësi ka vuajtur nga vazhdimësia jo e mirë.

“Ndaj Teutës, normal, që është një sfidë e vështirë, por nuk mund të bëjmë diferenca: ndeshje të lehta, ndeshje të vështira. Nuk ka në këtë periudhë, por edhe më përpara është parë si ka shkuar rrjedha e kampionatit. Normal që nuk ka siguri, duhet seriozitet dhe punë për t’u përmirësuar.

Teuta është një skuadër e ekuilibruar mirë, që si në shtëpi dhe jashtë ka luajtur dhe ka marrë maksimumin. Kanë futbollistë me eksperiencë dhe është një skuadër e cila nuk ka pasur shumë lëvizje gjatë këtij kampionati dhe drejtuesit e saj janë munduar ta konsolidojnë sa më shumë skuadrën”, tha fillimisht Josa.

PARTIZANI – Kukësi humbi ndaj Partizanit, por nga kjo disfatë duhet mësuar dhe nuk duhet mbetur mendja atje, pasi verilindorët duhet të shohin përpara. Skuadra çalon pak si gjendje, por Josa pohoi se po punohet shumë për t’u përmirësuar. “Vijmë pas një ndeshjeje me Partizanin e cila pjesë-pjesë u luajt mirë nga ne, por kishte edhe momente që na ndëshkuan që nuk e përballuam dot Partizanin. Mendimi im është që nuk duhet ta kemi mendjen te Partizani, por të shohim gjendjen psikologjike të skuadrës, sepse këtu çalojmë pak”, vijoi trajneri i Kukësit.

PËRMIRËSIMI DHE KUPA – Çelësi i suksesit është vazhdimësia, që te Kukësi ka munguar. “Ne nuk duhet të kërkojmë të mesme, sepse e mesmja e një skuadre varet nga niveli i ekipeve të tjera. Ne duhet të kërkojmë përherë përmirësimin e skuadrës sonë. Është një grup që kërkon të përmirësohet. E kanë treguar që pas një ndeshjeje të mirë, kemi bërë një ndeshje të dobët, pastaj jemi përmirësuar sërish”, u shpreh Josa.

Në vijim Josa komentoi sërish Teutën, por kësaj radhe për ecurinë në Kupën e Shqipërisë, ku theksoi se nuk kanë llogari bashkë. Ai mendon vetëm të ngrejë nivelin e skuadrës së Kukësit, si nga ana teknike dhe ajo taktike, ndërsa për pjesën fizike mbetet ajo që është aktualisht. “Kupa? Nuk ka asnjë llogari.

Ne mundohemi të ngremë nivelin e skuadrës si nga ana taktike ashtu edhe nga ajo teknike. Pjesa fizike është kjo që kemi, sepse nuk kemi çfarë të përmirësojmë për momentin. Unë e shoh në rezultat dhe klasifikim që ne do të pretendojmë të jemi në nivelin e ekipeve që janë sipër nesh. E thashë se ka të bëjë përmirësimi dhe mënyra si. Gabimet e një ndeshjeje të mos i përsërisim ose t’i bëjmë më pak, kjo është mënyra më e mirë për të ecur para”, u shpreh Mirel Josa para ndeshjes me Teutën.