Teuta ka mbyllur pasditen e së martës përgatitjet për ndeshjen e javës së 22-të Kategorisë Superiore ndaj Vllaznisë, që do të luhet sot në orën 16:00 në stadiumin “Niko Dovana”.

Nën drejtimin e trajnerit Edi Martini ekipi ka zhvilluar një seancë të karakterit taktik, ku stafi ka provuar edhe formacionin që do të zbresë në fushë. Atmosfera në skuadrën durrsake është shumë e mirë dhe optimizmi për një fitore mbetet i madh.

Trajneri Martini nuk do të ketë në dispozicion vetëm mesfushorin Erando Karabeci, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Me grupin është rikthyer sulmuesi Sebino Plaku, i cili ka lënë pas dëmtimin dhe do të jetë i gatshëm. Sa i përket formacionit, e vetmja lëvizje do të jetë në mesfushë, aty ku Avdyli dhe Daja janë në balotazh për një vend. Duket se kosovari është më i avantazhuar për të luajtur nga minuta e parë ndaj Vllaznisë.

Tomas Brdariç pritet të hedhë sot në fushë që nga minuta e parë mesfushorin malazez, Millosh Kaleziç. Në stërvitjen e fundit ai është provuar në formacion, ndërsa e njëjta gjë ka ndodhur edhe me qendërmbrojtësin Dajan Shehi dhe lojtarin nga Togo, Elom Nya-Vexhi. Ky i fundit bëri një performancë të mirë ndaj Tiranës, por është në balotazh me Da Silvën për një vend në krahun e majtë të mesfushës.

Pritet që Vllaznia të luajë kundër Teutës me skemën 4-1-4-1, duke pasur një mesfushë të ngjeshur. Në mbrojtje do të jenë Gurishta, Adili, Shehi dhe Imami, ndërsa në mesin e fushës Krymi, Kaleziç, Jonuzi, Imeri dhe Da Silva ose Vexhi. Në stol mbeten Arsid Kruja dhe Ardit Hoxhaj, pasi do të luhet me vetëm një sulmues, pikërisht Dilaver.