Dy atletët shkodranë Izmir Smajlaj dhe Franko Burraj që prej ditës së dielë ndodhen në Poloni, aty ku do të marrin pjesë në garat e Kampionatit Europian të sallave të mbyllura që do të zhvillohen atje më 7 mars. Gjatë këtyre ditëve ata janë duke zhvilluar përgatitjet e fundit për garën e së dielës dhe forma e tyre sportive duket e mirë.

Të dy këta sportistë, pritet ta përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë në këtë kompeticion të rëndësishëm europian dhe madje do të synojnë të thyejnë edhe rekorde e të futen në zonën e medaljeve. Smajlaj vjen në këtë kampionat pas tre medaljeve të arta që ka fituar kohët e fundit në garën e kërcimit së gjati, pikërisht në Kampionatin Ballkanik si dhe në mitingjet ndërkombëtare të Vjenës dhe Beogradit.

Forma e tij sportive duket shumë e mirë dhe ai do të synojë të jetë në zonën e medaljeve. Ndërkohë edhe Burraj do të synojë të jetë në finalen e garës së 400 metrave të këtij europiani. Ai vjen pas dy medaljeve të argjendta të fituar në Ballkaniadë dhe mitingun e Beogradit dhe po ashtu do të synojë të thyejë rekordin personal të kësaj gare, por edhe të arrijë deri në finale.

Por ndërkohë, një nga shqetësimet e tij është mungesa e trajnerit Bruno Rrotani në këtë kompeticion. Federata Shqiptare e Atletikës nuk i ka siguruar udhëtimin dhe për rrjedhojë ai ka mbetur në Shkodër. Padyshim që kjo është diçka jo e mirë për sportistin e tij, megjithatë ky tashmë është një realitet dhe Burraj do të bëjë pa trajnerin e tij.