Demir Imeri ka qenë në këtë sezon një nga emrat që u kthyen në idhuj për tifozerinë e Vllaznisë pasi me lojën dhe golat e tij ndihmoi klubin kuqeblu që të ngjitej në majën e klasifikimit të Superiores. Por në ndeshjen e sotme ndaj Kukësit, ai u kthye në personazhin negativ të sfidës.

Mesfushori u fut në fushë si zëvendësues dhe menjëherë kishte mundësinë të ndryshonte fatin e sfidës pasi kërkoi që të ekzekutonte penalltinë e fituar nga Cise, duke mos lejuar Dilaver të gjuante. Megjithatë, ai u neutralizua nga Xhika, i cili priti goditjen e tij. Pak minuta më vonë, Imeri u shfaq përsëri para portës, por edhe këtë herë gaboi para Xhikës duke dërguar sferën jashtë.

Një gabim i dyfishtë që bëri që në adresë të tij të përfundonin një lumë kritikash të tifozëve, apo edhe vetë trajnerit Brdariç i cili në fund të sfidës tha se ndoshta vendimi i tij për të gjuajtur penalltinë nuk kishte qenë i duhuri. Edhe Imeri e ka ndjerë me sa duket peshën e gabimit, pasi nëpërmjet rrjeteve sociale, u ka kërkuar falje tifozëve shkodranë se nuk arriti të konkretizonte ato mundësi e t’i jepte Vllaznisë një fitore që do të shkëpuste përsëri ekipin në kryesim.

“Edhe pse çdo herë mundohem të mos kursej as atomin e fundit për ekipin, por futbolli sot më dënoi. I kërkoj falje nga më i vogli te më i moshuari tifoz i Vllaznisë, nga çdo shkodran, duke mos lënë anësh edhe stafin teknik. Fati s’qe sot me mua. Kuqeblu”, shkruante Imeri në postimn e tij, duke i kërkuar kësisoj falje mbështetësve të skuadrës kuqeblu. /vipsport/