Anglia që mund të zbresë në fushë në “Air Albania” më 28 mars, mund të jetë shumë ndryshe nga ajo që jemi mësuar të shohim në vitet e fundit, teksa arrinte në nivelet më të larta të futbollit botëror. Trajneri Garet Sauthgejt po përballet me një krizë të pazakontë dëmtimesh në radhët e ekipit dhe pritet të humbasë shumë emra të rëndësishëm si Henderson, Grelish, Sanço apo Rashford. Por kësaj liste mund t’i shtohet edhe portieri titullar.

Xhordan Pikford, portieri i Everton, është dëmtuar sot në ndeshjen kundër Bërnlit dhe është zëvendësuar në minutën e 43-të të ndeshjes, pasi nuk mund të vazhdonte më, edhe pse stafi mjekësor u mundua që ta kthente përsëri në fushë.

Kështu Pikford është në garë me kohën për të qenë gati për ndeshjet e kualifikuesve të Botërorit që fillojnë pas 10 ditësh e ku Anglia do të luajë edhe kundër Shqipërisë.

Në mediat italiane ka filluar që tani të diskutohet përfaqësuesja angleze që do të luajë ndeshjet e marsit si Anglia B, pasi këtyre mungesave pritet t’u shtohen edhe ato të disa lojtarëve që nuk do të lejohen nga klubet e tyre për të udhëtuar në mes të pandemisë. /vipsport/