Lorenc Jemini e konsideron alarmante gjendjen ku janë sot arbitrat shqiptarë. Ai thotë se është ngritur një sistem i frikshëm që i ka futur në një trysni të jashtëzakonshme gjyqtarët dhe se kush kundërshton shefat, mbetet jashtë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-arbitri i FIFA-s analizon me detaje edhe ndeshjen Laçi-Partizani në Kupë të mbushur plot me polemika dhe thotë se Kridens Meta thjesht nuk ka dashur ta japë penalltinë e parë ndaj Çinarit e mandej ai nuk e pa më ndeshjen, sepse e kishte kuptuar se nuk do të jepej më asnjë penallti…


Pse Lorenc Jemini sot nuk është më as vëzhgues?

Sepse duhet të ndjekësh linjën e këtyre. E imagjinoni dot çfarë tmerri?! D.m.th. unë të dal në emision dhe të them çfarë mendojnë ata. A janë në binarë vallë? Unë them mendimin tim, pa ofenduar njeri. Nëse e kanë kusht, ose televizionin, ose rolin e vëzhguesit, atëherë dakord. Por, edhe këtu kam një pyetje: Po ata që kanë nga tri apo katër funksione në sektorin e arbitrimit, pse dalin të bëjnë moviolë në TV?


Çfarë u thatë ju zyrtarëve të arbitrimit kur ju vunë këtë kusht?

Si ka mundësi që unë nuk kam asnjë pozicion dhe më vihen kushte, ndërkohë që njerëz aty brenda që kanë nga 3-4 pozicione dalin dhe bëjnë moviolë? A ka ku të rrijë kjo?! Mirëpo, këtu nuk pyet njeri fare. Këtu po vdes çdo gjë. Këtu është ngritur një fenomen që një arbitër mund të vendosë kampionatin, si ai i 2017-ës. Një arbitër mund të vendosë Kupën, një arbitër mund të vendosë ndeshjen, mund të vendosë çfarë do dhe nuk i hyn gjemb në këmbë. Ky është fenomen, nuk ka lidhje Kridens Meta këtu.


Që do të thotë?

Pse, e bëri vetë nga koka Kridens Meta atë? Po pse, u çmend Meta?! Me këtë fenomen kemi 5-6 vjet… Që nga 2017-ta kur unë jam larguar ekziston ky fenomen. Një njeri që jep kampionatin dhe e dorëzon ku do ai, d.m.th. që s’e bën me kokën e tij, sepse më pas ai gradohet. Ai vazhdon, merr lavdërime. Këtu jemi në kufijtë e çmendurisë. Pastaj, ajo që është për të vënë duart në kokë, po të dish se ç‘bëhet te moshat.

Katastrofë! Mua më dërgojnë video prindërit me sjellje skandaloze arbitrash që vendosin ndeshjet edhe te 15-vjeçarët. A ka mundësi të ndodhë kjo? Qajnë fëmijët pas ndeshjes. Ky është fenomeni. Mirëpo, kur një arbitër i ri shikon këto gjëra që ndodhin në Superiore, atëherë e gjithë “loja” vazhdon me të njëjtin ritëm edhe në kategoritë e tjera.

Si ju duk arbitrimi i ndeshjes në Laç?

Shikoni, unë e kam parë ndeshjen deri te rasti i parë për penallti i Çinarit. Aty vendosa të ndryshoja kanal pastaj pashë edhe tenis… Nuk e pashë më ndeshjen.

Pse?

Sepse e kuptova që nuk do të jepej më asnjë penallti. Megjithatë, i pashë edhe rastet e tjera më pas në kronikë.


Bëhet fjalë për tri penallti të padhëna për Partizanin dhe një për Laçin…

I kam parë, ashtu mendoj edhe unë, edhe pse në rastin e penalltisë së tretë të padhënë për Partizanin ka një mëdyshje nëse e ka prekur topin i pari lojtari i Laçit. Megjithatë, unë mendoj se është më shumë penallti. Penallti ishte edhe ajo në favor të Laçit në kohën shtesë.


Në gjykimin tuaj, si është gjendja me kolegjiumet e arbitrave në Shqipëri?

Zero. Kolegjiumet nuk po funksionojnë më që nga pandemia. Janë zero, janë fshirë… Shoqata e Arbitrave, zero. I ka mbaruar mandati presidentit që në qershor. As kujtohet njeri për zgjedhje, as ekziston shoqata. I kemi dëgjuar akuzat e rënda të presidentëve herë pas here. U thonë “hajdut”, “palaço”, “kriminelë”, “mafiozë” etj… A keni dëgjuar ndonjë të dalë e të thotë: “Kush m’i shan arbitrat?” Të dalë një t’i mbrojë publikisht të paktën. Asnjë nuk del.

Si janë sjellë drejtuesit e sektorit të arbitrimit pasi u larguat nga profesioni juaj?

Që kur kam lënë arbitrimin, këta me mua janë sjellë në mënyrën më barbare.


Në ç‘kuptim “barbare”?

Më lanë vëzhgues në Kategorinë e Parë. Unë kam qenë arbitër ndërkombëtar dhe duhej të ngjitesha direkt në Superiore. E thotë statuti këtë. Ndërkohë që kanë ngjitur arbitra në Superiore që as kryesorë dhe as ndërkombëtarë nuk kanë qenë. Këtë ma bënë për karshillëk, por unë nuk u dorëzova, që t’u tregoja: “Unë s’jam si ju dhe s’dua t’ia di fare ku më çoni. Unë shkoj dhe bëj punën”. Ama këta po prisnin momentin dhe unë e dija që do të vinte kjo ditë. Këta donin të më mbyllnin gojën mua, duke më dhënë një ndeshje në muaj si vëzhgues. Këta janë të tmerrshëm, janë të frikshëm. Po si mund të ma mbyllin gojën mua?

Pse Kridens Meta shkëlqeu në një ndeshje Partizani-Laçi pak javë më parë dhe po sërish në një përballje mes tyre gaboi kaq rëndë?

Nuk di ta them se përse bëri kaq shumë gabime, por për shembull penalltinë e parë ai thjesht nuk deshi ta jepte. Kështu mendoj unë. Ai është një gjyqtar ekspert, porse për çfarë motivesh nuk e dha, kjo është punë për të. A e bën dot Meta me kokën e vet këtë? Unë dyshoj që jo. Tani merreni si të doni ju.

Folëm pak për kolegjiumet dhe mënyrën se si funksionon Shoqata e Arbitrave. Po arbitrat që sot kanë stemën e FIFA-s, si ju duken? A është e kënaqshme performanca e tyre?

Gabimet më të mëdha i kanë bërë ata, për hir të së vërtetës. Unë i kam të gjitha videot, sepse me këtë punë merrem. Po, të gjitha gabimet më të mëdha i bëjnë këta. Pse ndodh kjo? Ka një arsye. Sepse këta shkojnë gjithmonë me këshillime. Sepse, “arbitrat e FIFA-s” janë ata që janë të federatës, sepse ata ta japin dhe ata ta heqin stemën. Në qoftë se ti s’do të shkosh, mirupafshim, stema të iku. U them shpeshherë arbitrave: “Kur u sollën kështu me mua, të njëjtën gjë do të bëjnë dhe me ju dhe ndoshta më keq”.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Që arbitrat e FIFA-s janë në të gjitha ndeshjet më të vështira dhe me probleme, ndaj i bëjnë gabimet këta të shkretët. I kanë futur në një presion të paparë.


Çfarë presioni?

Po u thonë: “Kujdes këtë, kujdes atë, po fitoi ky, po humbi ai…”. Ç’është kjo punë kështu! Është e papranueshme që lajmërohen arbitrat në orën 11 të natës ose në 7 të mëngjesit, duke i mbajtur te gatshëm sikur do të ikin në luftë. A ka më keq se kaq? As në ’97-ën nuk ka qenë kështu.

Jeni marrë me arbitrim për vite me radhë dhe keni qenë pjesë e këtij realiteti. A jeni kaq kritik sepse ju kanë larguar dhe sot keni mllef?

Jam marrë 22 vjet me arbitrim dhe po ju them se asnjëherë nuk ka qenë kështu. Ju siguroj për diçka: E para, nuk flas me emocion për situatën që më ka ndodhur mua, sepse e kam kaluar atë. Madje, më duket edhe sikur kam shpëtuar, sepse kështu si ka ardhur koha, ishte e pamundur të punoja normalisht. Por, kjo situatë nuk ka qenë kurrë, kurrë. Unë 10 vitet e para në arbitrim, të betohem, s’më ka thënë njeri shikoje pak X-in, shikoje pak Y-in. Nuk më ka thënë sikur një njeri. Ky variant filloi mbas 2016-ës.

Atëherë filloi kjo, po fitoi ky, po humbi ai hajde hiq fanellën. Tani është sofistikuar më tej akoma. Tani e kanë bërë sistem. E kanë ngritur në mënyrën “O je me ne, o je armiku ynë”. Ç’punë kam unë të jem me ju ore, unë po bëj punën time! Ç’është ky armik dhe ç’është kjo mendësi? Armik në sport? Kështu më thanë edhe kur me komunikuan: “O emisionin, o vëzhgimin, ti nuk je i linjës sonë”. O Zot, po çfarë po thonë ore, a dinë këta që jemi në 2021 apo ju ka ngelur ora në 1997 akoma!


Si ka mundësi që mbijetojnë të njëjtat xhaketa në sektorin e arbitrimit dhe nuk ndodh asnjë ndryshim?

Mbijetojnë sepse ata shaji, ofendoji, përbalti, bëju si të duash, ata rrinë aty, për atë rrogë, për ata lekë që marrin. Janë të varur plus pasionit që kanë. Presin të marrin atë 200-mijëlekësh dhe dinjiteti zero. Po unë çfarë t’i bëj pasionit që nuk më lë, që shkoj dhe shoh ndeshjet, sepse realiteti në fakt është që të ikësh natën. A ke parë një arbitër të kënaqur? Shikoji që nga fytyra, që nga çehrja kur dalin në stadium! Arbitra ndërkombëtarë, kanë 9 apo 10 ndeshje në 24 javë. Çfarë është kjo? Këta të ulin, të çojnë, të ngrenë, që ti të bëhesh llastik fare dhe në fund të vendosësh nëse bëhesh dot llastik ose në të kundërt hap rrugën. Ky është problemi.


A ka ndonjë zgjidhje sipas jush? A ka ndonjë mënyrë?

Vetëm shkëputja. Duhet të shkëputet sistemi i arbitrave nga federata. Vetëm kjo është zgjidhja, sikurse e ka gjithë bota. Nuk mundet të jetë aty. Federata paguan arbitrat, paguan vëzhguesit, këtë, atë. Ku të ankohesh nesër? Një arbitër ku ta gjejë kur ti më paguan mua. Unë jam punëtori yt. Ti më bën “ç‘të duash” dhe sidomos punëtorët shqiptarë se të jesh punëtor në Zvicër e hedh në gjyq, por je punëtor shqiptar, vështirë të gjesh zgjidhje. U kanë bërë një kontratë së fundmi 1-vjeçare arbitrave dhe vëzhguesve, që në çdo moment prishet dhe ti mund të kesh 20 vjet dhe ke dalë në rrugë pa asnjë lloj përfitimi e vlerësimi apo dinjiteti njerëzor. Por, duhet të zgjedhësh gjithmonë linjën… Se cilën linjë, një zot e di.


Pak ditë më parë presidenti i federatës zhvilloi një takim me arbitrat. Kjo ka efekte pozitive apo negative te gjyqtarët?

Nuk është fare normale që presidenti i federatës të bëjë takim me arbitrat. Ç’punë ka presidenti i federatës me arbitrat? Ka president shoqate, ka disenjator, ka njerëz aty që merren me atë punë, por nga ana tjetër, kur të gjithë këta që përmenda: president shoqate, disenjatorë, ish-arbitra që u kanë dalë thinjat në arbitrim janë të gjithë në rolin e kukullave, atëherë çfarë mund të them tjetër. A e patë gjëkundi që të kishte ndonjë anëtar nga Liga Profesioniste në atë takim kur po dëmtohet produkti i tyre? Asnjë, madje as nuk e dinë fare që është bërë mbledhje.