Klubet shqiptarë, thuajse të gjitha me radhë, kanë filluar të ankohen pafundësisht për gabimet me apo pa dashje të gjyqtarëve në ndeshje që mund të vendosin fatin e sezonit.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka kundërsulmuar sot, në një intervistë të dhënë për “MCN TV”, duke argumentuar se edhe niveli i lojës nuk është ai që pritet prej klubeve shqiptare.

“Jam shumë i bindur që nuk është në nivelet më të larta niveli i lojës se sa i arbitrimit, zhvillohen në të njëjtën mënyrë dhe madje më të mirë se vendet e rajonit. Unë dyshsoj që futbolli do të jetë i bukur nëse nuk do të ketë diskutime, kështu që do të jetë i bukur përderisa ka të tilla”, tha ai.

Ndërkohë, Duka paralajmëron se as VAR nuk do të zgjidhë polemikat e përjavshme rreth vendimeve të gjyqtarëve. “Ne do të implementojmë VAR-in në edicionin e ardhshëm që do të minimizojë por prapë do të lërë vend për diskutime”, deklaroi kreu i FSHF. /vipsport/