Klubi i Vllaznisë pret me ankth të madh përgjigjen e Komisionit të Licencimit në FSHF për të miratuar dokumentacionin që kërkohet për pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

Ecuria e mirë e shkodranëve ka shtuar shanset që jo vetëm të kapë një vend që të jep të drejtën e pjesëmarrjes në kompeticionet e UEFA-s, por të luftojë për trofe deri në fund.

Mirëpo, këto synime mund të hidheshin në erë nëse në fillim të muajit prill UEFA nuk licencon Vllazninë për shkak të detyrimeve që ka në Tatime.

Afati i fundit është data 31 mars dhe deri atëherë klubi shkodran duhet të gjejë patjetër një marrëveshje për shlyerjen e borxheve.

Në të kundërt, zhgënjimi për këtë sezon do të ishte i paimagjinueshëm.

Klubi ka një detyrim prej 1.6 miliardë lekësh të vjetër dhe mësohet se 20 % të kësaj shume duhet ta paguajë “kesh” për t’i hapur rrugën një marrëveshjeje me Drejtorinë e Tatimeve.