Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, ka preferuar që të lërë pushim skuadrën deri të mërkurën. Mesa duket, ai kërkon që ekipi të ketë pak qetësi para se të nisë përgatitjet për pjesën tjetër të sezonit. Vetë ngjeshja e takimeve e bën më të domosdoshme këtë pushim.

Ndërsa ndërprerja pritet të ndikoj për mirë jo vetëm në rritjen fizike të ekipit, por edhe tek rikuperimi i lojtarëve të dëmtuar. Siç dihet, në transfertën ndaj Kastriotit nuk ishin të gatshëm për shkak dëmtimesh dy lojtarë si Eni Imami dhe Viktor da Silva. Ky i fundit, që prej dy javësh po vazhdon fazën e riaftësimit, ndërsa mbrojtësi u dëmtua dy ditë para ndeshjes me Kastriotin. Pritet që me Partizanin të jenë gati.

Erdenis Gurishta ishte një nga lojtarët që ndëshkua në takimin ndaj Kastriotit me karton të verdhë. Mirëpo, ai plotësoi numrin katër të tyre dhe kjo është hera e dytë që do të mungojë këtë kampionat për shkak të kartonëve.

Kjo mungesë vjen në ndeshjen ndoshta më të rëndësishme të këtij sezoni, pikërisht ndaj Partizanit, e parashikuar për t’u zhvilluar më 3 prill në stadiumin “Loro Boriçi”.

Duke ditur rëndësinë që ka Gurishta në krahun e djathtë të mbrojtjes, trajnerit Brdariç i prishen planet për duelin me rivalët e kuq, që janë vetëm dy pikë më pak se Vllaznia. Ndërkohë, rikthehen pas pezullimeve mesfushorët Ardit Krymi dhe Fjoart Jonuzi, që munguan ndaj Kastriotit.