Shkëndija e Tetovës është tani edhe matematikisht kampione në Maqedoninë e Veriut. Skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka me lojtarë të njohur të Superiores që u bënë pjesë e këtij projekti si Bruno Dita e Rubin Hebaj, ka festuar sot titullin e katërt në historinë e klubit pas triumfit që arritën me shifrat 3-1 ndaj Borecit.

Ndeshja e sotme pa Bejtulain të shënonte një autogol në minuat e parë dhe tetovarët e panë veten në disavantazh në mbyllje të pjesës së parë. Por brenda 7 minutash në fraksionin e dytë të lojës, gjithçka ishte mbyllur në favor të kuqezinjve me Muratin, Ibraimin dhe Hebajn të cilën shënuan nga minuta e 62-të në të 69-ën, duke vulosur këtë sukses.

Shkëndija u shpall kampione për hërë të parë në vitin 2011, ndërsa më pas fitoi dy tituj radhazi në vitet 2018 dhe 2019, ndërsa dominoi thuajse që në javët e para të kampionatit aktual që i dha kurorën e katërt, duke mbajtur larg rivalët.

Ajo i bashkohet Rabotniçkit në kuotën e katër titujve në vendin e dytë në renditjen e përgjithshme të fituesve në Maqedoninë e Veriut, ndërsa Vardari mbetet i shkëputur me 11 tituj kampionë. /vipsport/