E varrosur përpara kohe, Champions League rikthehet sot në mbrëmje. Është i gjallë, edhe pse i mavijosur. Si për ironi të fatit do të rikthehet pikërisht në qendrën stërvitore të “Valdebebasit”, pikërisht në shtëpinë e atyre që donin ta zëvendësonin pa u menduar dy herë. Reali i Florentino Perezit do të presë Çelsin, dy skuadrat që ishin prezente në projektin e ri të Super Ligës. Në pritje të derbit Katar-Emirate, Reali dhe Çelsi do të përballen edhe për kompeticionin e munguar. Është interesant fakti sepse blutë e Londrës me presidentin oligark rus, Roman Abramoviç e braktisën të parët dhe shprehën dyshimet për Super Ligën. Ata ishin një nga 6 rebelët që braktisën këtë kompeticion, ende pa nisur mirë.

NDËRTUESI DHE OLIGARKU

E vërteta është që e gjitha kjo lëvizje mund të sjellë pasoja të rënda në futboll dhe në zyrat e Nionit janë duke i menduar për të ardhmen. Por, sigurisht që për momentin duket se Ceferin dhe UEFA i ka falur. Mirëpo, duhet shkuar drejt e në rrënjët e kësaj historie. Klubet që donin të ndërtonin Super Ligën kërkonin që ta shmangnin kaosin ekonomik dhe të përfitonin 3.5 miliardë euro nga banka amerikane JP Morgan, financuese e Super Ligës. Abramoviç dhe Perez kanë pësuar goditje ekonomike për shkak të pandemisë. Biznesmeni Florentino ka shpenzuar miliona euro për të ndërtuar Realin “Galaktik”, por verën e kaluar e mbylli portofolin për të rregulluar bilancin dhe për t’u përqendruar te ndërtimi i stadiumit “Santiago Bernabeu”.

Nga ana tjetër, i heshturi Roman, shpenzoi këtë verë 247 milionë euro për futbollistë si Haverc, Verner, Zieh, Çiluell dhe portierin Mendi. Të rinjtë janë një tjetër strategji e të dyja skuadrave, të cilët huazohen për të fituar sa më shumë eksperiencë. Reali dhe Çelsi kanë ditur që të mbijetojnë në vështirësi të shumta, edhe pse bilancet në kohët e fundit nuk kanë qenë shumë pozitive. Megjithatë, e kanë fituar me meritë prezencën e tyre në Ligën e Kampionëve dhe gjysmëfinalet janë dy ndeshje interesante. Ka edhe pak aromë Super Lige në këtë sfidë, e gjitha për t’u parë me vëmendje dhe me interes të veçantë.