Dhunimi i gjyqtarit në ndeshjen mes Sopotit dhe Mirditës, ka sjellë reagimin edhe të Shoqatës së Gjyqtarëve, e cila ka kërkuar që të evitohet përsëritja e ngjarjev të tilla. Shoqata kërkoi që të merreshin masa që të mos përsëriten ngjarje të tilla, teksa ka theksuar se asnjë lloj veprimi nuk mund të përligjte akte dhune në stadiume.

“BASHF shpreh shqetësimin e indinjatën më të thellë për sulmin ndaj gjyqtarit Klajdi Qëndraj dhe dënon dhunën e ushtruar ndaj tij nga një lojtar i Mirditës.

ASHF shpreh solidaritetin me gjyqtarin Qëndraj dhe, duke i uruar atij shërim sa më të shpejtë, kërkon reagimin sa më të shpejtë të autoriteteve shtetërore ligjzbatuese për ndalimin e autorit të dhunës dhe vënies para përgjegjësisë penale.

Edhe një herë duam t’u bëjmë thirrje klubeve të futbollit, drejtuesve dhe lojtarëve, që të marrin të gjitha masat për të shmangur e parandaluar akte të tillë të shëmtuara, që dëmtojnë rëndë imazhin e futbollit dhe të arbitrimit.

Asgjë nuk mund të përligjë përdorimin e dhunës ndaj arbitrave apo kujtdo tjetër në një ambient sportiv. Ne nxisim respektimin e rregullave ‘fair play’ dhe theksojmë me forcë se dhuna nuk mund të ketë kurrsesi vend në futboll”.