Ballshiotët janë grumbulluar menjëherë pas ndeshjes me Teutën në rezidencën e tyre, duke u fokusuar 100% te sfida e së enjtes me Vllazninë në “Adush Muça”, e cila pritet të jetë shumë e rëndësishme për fatet e sezonit.

Nga stërvitja, ekipi shkon menjëherë në grumbullim në kompleksin “Gjanica”, duke mbajtur një regjim të rreptë.

Trajneri Dovedan po punon jo vetëm taktikisht me ekipin, por edhe në aspektin psikologjik. Janë edhe katër javë dhe ballshiotët kanë një kalendar vërtet delikat, pasi luajnë me Vllazninë në Ballsh e më pas kanë dy transferta me Kukësin në “Elbasan Arena” dhe me Kastriotin në Kamzë.

Në fund, në Ballsh vjen Partizani, në një sfidë ku ballshiotët sërish do ta kenë të vështirë edhe për faktin se të kuqtë janë në lojë për titullin kampion.

Nga sa mësohet, sulmuesi Kojiç dhe mesfushori Nebihu kanë kaluar dëmtimin dhe do të jenë gati për ndeshjen me shkodranët. Ndërsa një lajm i mirë është se në linjën e djathtë është rikthyer pas pezullimit edhe Frenkli Ntepe.

Në ndeshjet e shtëpisë Bylisi ka trembur jo pak të mëdhatë dhe kështu ka ndodhur me ndalesat e Tiranës apo Kukësit dhe Teutës në “Adush Muça”. Ky takim me Vllazninë është si një finale, pasi çdo rezultat tjetër përveç fitores mund ta kompromentonte edhe më tepër situatën te ballshiotët.