Vllaznia eshte ne prag te privatizimit. Procesi tashme ka nisur dhe brenda nje periudhe 2-3 javore pritet te perfundoje. Tre kandidatet per ta blere ate jane Alban Xhaferi, Almiro Gurakuqi dhe firma “Joni 5 sh.p.k”.

Ky i fundit ne fakt ka bere oferten me te larte deri me tani por ende askush nuk ka dijeni se cilat jane planet e tij dhe se cfare e ka shtyre te ofrohet tek Vllaznia.

Nga ana tjeter, sponsori aktual Alban Xhaferi e ka shpalosur prej kohes projektin e tij dhe nderkohe se fundi ka folur edhe kandidati tjeter, Almiro Gurakuqi.

Në një intervistë te dhene për SportngaBajraktari, ai tregon planet e tij dhe ku do të përqëndrohet nëse do të “blejë” Vllazninë.


– Gurakuqi, si ju lindi ideja për tu bërë pjesë e Ankandit të Vllaznisë?

Në vitet e fundit, Vllaznia ka qenë në pozitat më të ulëta që ka njohur historia e saj, megjithëse fondet nuk kanë qenë aq të pakta, por keq-menaxhimi i humbi shkëlqimin ekipit dhe krenarinë e gjithë shkodranëve.

Me gjak shkodrani në deje dhe me Vllazninë si pjesëtare e pandashme e familjes, me përvojën dhe mundësitë financiare që disponoj, unë dhe grupi që mendojmë të jemi bashkë, kishim bindjen e palëkundshme të bëheshim pjesë e këtij ankandi.

– Cili është programi juaj për Vllazninë?

Programi për Vllazninë është shumë ambicioz, është dëshira jonë e palëkundur që Vllaznia të jetë udhëheqësja model e futbollit shqiptar dhe padyshim pse jo dhe krenaria jonë jashtë kufijve, por jo me fjalë.

Bazë e investimit do jetë akademia jonë, evidentimi, rritja e formimi profesional i super talentave tanë, që në të ardhmen të përbëjnë mbi 60-70% të ekipit, shtimi e perfeksionimi i infrastrukturës sportive që të afrojmë brezin e ri drejt këtij sporti hyjnor e aq pasionant për shkodranët.

Forcimi i ekipeve zinxhirë dhe Vllaznisë B si një valvul sigurie për vazhdimësi të kampionateve me angazhim total të lojtarëve për të marrë maksimumin e përformancës së tyre.

Mirë-menaxhimi i të gjitha burimeve ekonomike nga të gjithë, dashamirës, biznesmenë të Shkodrës e përtej, që sponsorizimet ndaj Vllaznisë ti kthehen në përfitim nga spektakli e rezultatet e Vllaznisë në fushë.

– Jeni i gatshëm të shlyeni edhe borxhet, të cilat në fakt janë më të larta se çmimi fillestar i shitjes?

Si tifoz i Vllaznisë kam vite që jam në dijeni të borxhit dhe ky i fundit paradoksalisht që Bashkia akordonte shuma të konsiderueshme rritej çdo vit e më shumë.

Jam besim plotë që me mirë-administrim, por pa kërkuar mrekulli, mund të arrijmë ta shlyejmë. Mbase kjo na detyron që duhet të jemi me këmbë në tokë dhe ta heqim sa më shpejt këtë njollë të zezë të ekipit që padyshim i ul vlerat dhe reputacionin.

– Si e vlerësoni garën dhe përse duhet të fitoni ju ndaj 2 kandidatëve të tjerë?

Nuk jam në garë me asnjë, në jetë jam mësuar të jem në garë me vetën. Dua Vllazninë kampione të përjetshme që për mua dhe kur ka rënë në të parën përsëri bërtisnim Vllaznia Kampion.

I respektoj pa masë kandidatët dhe për iniciativën që nuk është e lehtë dhe pa stres. Duhet t’i vlerësoj me zemër se edhe nëse nuk do jem unë blerësi (jo pronar se i tillë do jetë çdo tifoz i Vllaznisë) të më bëjnë krenar, ashtu siç unë dua ti bëjë gjithë dashamirësit e Vllaznisë, që i kalojnë kufijtë e Shkodrës.


– Mund të na zbuloni cila ka qenë shuma që keni ofruar në hapin e parë të proçesit?

Shuma tashmë është bërë publike në media, pra 575 mijë euro. Por mund të them se është fillimi, pasi ankandi vërtet akoma nuk ka nisur.


– Besoni se proçesi i shitjes së Vllaznisë do mbyllet brenda afateve të caktuara?

Do ishte në të mirë të Vllaznisë dhe çdo kandidati blerës që të konkretizonte projektet për sezonet në vazhdim. Pra, sa më shpejt aq më mirë për këdo që do ti buzëqeshte blerja.