Derbi i fundit i këtij sezoni mes Partizanit dhe Tiranës është mbyllur në një barazim pa gola, që me siguri nuk ka kënaqur asnjë prej skuadrave pasi kanë humbur terren në krahasim me rivalët direkt sa i përket luftës për titull dhe Europës.

Derbi i sotëm ka folur fillimisht për Partizanin, i cili iu afrua më shumë golit në pjesën e parë, me Zhunior që shpërdoroi para Bekajt e me të kuqtë që panë t’u anulohet një gol i Çinarit. Ndërsa në fund, ishte Asani ai i cili tronditi traversën.

Por pas pushimit, sfida u ekuilibrua disi, edhe pse Tirana rrinte e mbledhur në mbrojtje duke mos lënë hapësira për sulmin e të kuqve. Këta të fundit provuan deri në fund që të fitonin ndeshjen, por nuk ia dolën të shfrytëzonin rastet që krijuan deri në minutat shtesë të sfidës.

PARTIZANI-TIRANA 0-0

Partizani: Hoxha, Mala (90’+2′ Idrizaj), Bitri, Belica, Hakaj, Broja (88; Kote), Murataj (78′ Hasani), Bardhi, Asani, Çinari (78′ Cara), Zhunior (88′ Kardoso).
Trajner: I. Daja

Tirana: Bekaj, Vangjeli, Najdovski, Hoxhallari, Toshevski, Batha, Çelhaka, Danso (90′ Kale), Ismajlgeci, Torasa (55′ Giamfi), Seferi.
Trajner: O. Shehi

KV: Broja / Vangjeli, Najdovski, Danso

Gjyqtar: Eldorian Hamiti

MINUTË PAS MINUTE

90’+5’ Mbyllet ndeshja në barazim pa gola.

90’+3’ Hasani merr një pasim të artë dhe shfaqet para Bekajt, ndalohet në momentin e fundit nga prapavija bardheblu.

90’+2’ Asani nis një harkim perfekt për Kardozon në shtyllën e dytë, ky i fundit nuk kthen dot sferën në rrjetë.

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

90’ Pas një goditje nga këndi, janë dy mundësi shënimi radhazi për të kuqtë, por në të dy rastet topi bllokohet nga mbrojtësit.

89’ Bekaj humb topin në kufijtë e zonës dhe Asani nga e djathta gjuan drejt portës, sfera ndalet nga nj mbrojtës para se të përfundojë në katërkëndor.

87’ Shumë gabime në pasimin e fundit pranë zonës kundërshtare për të dy skuadrat që kanë pak mundësi që të rrezikojnë portën.

81’ Qarkullim i gjatë i topit i Partizanit në gjysmëfushën e Tiranës, por pa gjetur asnjë të çarë për t’iu afruar portës kundërshtare.

78’ Daja vendos të ndryshojë mesfushën duke aktivizuar Hasanin e Carën në minuta e fundit të sfidës.

73’ Bardhi humb topin në zonë dhe Giamfi pason për Seferin e vetëm në qendër. Sulmuesi gabon gjithçka me gjuajtjen e tij duke e fluturuar topin mbi traversë.

68’ Një goditje nga këndi për Partizanin sheh një top të harkuar nga Asani të goditet me kokë nga Belica, por sfera kalon mbi traversë.

63’ Hoxhallari mundohet të shënojë me një të majtë të fuqishme nga distanca, sfera përfundon jashtë katërkëndorit.

62’ Bitri shpëton Partizanin. Danso nxjerr Seferin para Hoxhës, por ndërhyrja e Bitrit është e jashtëzakonshme dhe eviton një gol të sigurt.

53’ Torasa nuk mund të vazhdojë më dhe i lë vendin në fushë Giamfit.

52’ Murataj nxjerr Asanin në pozicion të mirë në të djathten, mesfushori gjuan por Bekaj kontrollon në dy kohë.

47’ E nis menjëherë me vrull Partizanin pjesën e dytë, duke krijuar menjëherë dy situata të vështira para portës bardheblu, por pa finalizuar.

46’ Nis pjesa e dytë pa zëvendësime në radhët e dy ekipeve.

45’+1’ Mbyllet pa gola pjesa e parë.

45′ Jepet 1 minutë shtesë.

45’ Danso godet me bërryl në fytyrë Çinarin, për gjyqtarin Hamiti është vetëm karton i verdhë.

42’ Tjetër mundësi për Partizanin që kombinon bukur në sulm, teksa nxjerr Asanin në të majtë. Ai tenton një gjuajtje-pasim drejt qendrës, por Bekaj është në pozicion.

40’ Goditje dënimi për Partizanin në të djathtë të sulmit, harkimi i Asanit me të majtën është thuajse perfekt, pasi sfera ndalet nga traversa.

38’ Mala shkëputet në krahun e majtë, detyron Najdovskin të ndalë me faull, duke u ndëshkuar me të verdhë.

33’ Danso përsëri kërkon penallti për prekje topi me dorë, pas nj gjuajtje në të djathtën, Hamiti vazhdon lojën.

32’ Çinari del para portës dhe dërgon sferën në rrjetë, por gjyqtari sinjalizon për pozicion jashtë loje, mes protestave të të kuqve.

30’ Rasti më i mirë për të shënuar është në këmbët e Zhunior. Pas një aksioni model, Çinari nga e majta nis sferën në qendër, por Zhunior nuk godet si duhet topin pas një kontakti me Danso, të kuqtë përkojnë penallti, por gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë.

29’ Batha mundohet që të gjejë hapësirën për të gjuajtur para zonës së Partizanit, por nuk ia del dhe gabon edhe në pasimin në krah.

26’ Vangjeli ndal një aksion të mirë të Asanit në krah dhe për këtë arsye bëhet lojtari i parë i ndëshkuar me të verdhë në këtë sfidë, e cila deri tani ka qenë mjaft korrekte.

17’ Asani nga jashtë zonës provon të majtën, sfera përfundon në duart e Bekajt.

16’ Përsëri Tirana që krijon rrezikshmëri para zonës, me Danson i cili gjuan por nuk gjen katërkëndorin.

13’ Danso në kufijtë e zonës gjuan drejt portës, por sfera përplaset te Belica e Bitri. Lojtari i Tiranës pretendon për penallti për prekje topi me dorë, por gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë.

11’ Hakaj nga e majta nis një harkim në zonë për Zhunior, topi largohet nga mbrojtja e bardhebluve..

9’ Shton trysninë Partizani në këto minuta, duke kërkuar një të çarë në prapavijën e bardhebluve por skuadra e Shehit është kthyer me shumë forca në mbrojtje duke lënë vetëm Seferin e Danson përpara.

5’ Tirana e nis ndeshjen me presing të lartë duke mbajtur Partizanin në gjysmëfushën e vet

1’ Nis ndeshja me shkelmimin nga qendra të bardhebluve.