Trajneri i Tiranës, Orges Shehi është shprehur se barazimi ndaj Partizanit është i pranueshëm, teksa shtoi se skuadra e tij rrezikoi ta humbte ndeshjen. Pas ndeshjes, për mikrofonat e “Supersport”, tregoi edhe çështjen me sulmuesin Danso, duke thënë se tani e meriton vendin e titullarit.

“Kemi bërë mirë mendoj. Pjesën e oparë e kemi nisur me presing. Në pjesën e dytë kërkuam të mbanim më shumë topin në këmbë, duke ditur që kemi lojtarët të rrezikshëm për të bërë mirë. Më vjen keq, kemi qenë shumë larg dhe kemi rikuperuar goxha pikë. Kemi pasur një ecuri të mirë. Gjithçka nuk varet nga ne. Kualifikimin për në Europë e kemi në dorën tonë, pasi kemi ndeshjen me rivalët direkt.

Danso? Çështja e tij, dihej nga të gjithë. E aktivizuam te U-21. Donte të luante futboll me çdo kusht. E ftonim në grumbullim dhe nuk vinte. Pas U-21 e ftova dhe i thashë nëse je gati mund të vish në skuadër. E kam aktivizuar në ndeshjet e fundit dhe sot e nisa me të nga fillimi. Është pjesë e skuadrës dhe me performancën që bëri sot, meriton vendin e titullarit.

Nuk ka trajner në botë që e pranon, që lojtari të thotë ose dua të luaj titullar ose largohem nga grumbullimi. Në stërvitje është paraqitur mirë. Unë nuk e kam vendin me tapi, aty është dhe mund të luajë.

Asnjë gjuajtje në portë? Të jem i sinqertë, e përgatitëm ndeshjen që të niseshim shpejt. Donim të kërkonim sa më shpejt thellësinë. Nuk i shfrytëzuam rastet. Është e qartë që kur luan pas rivalëve, ne me barazimin në fund do e pranonim.

Rrezikuam ta pësonim, kur po luanim para. Më mirë barazimi dhe jemi 3 pikë pas rivalëve sesa të humbnim dhe të ishim 4 pikë.”, tha Shehi.