Pas asaj me Teutën, Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka pësuar një tjetër humbje e cila në fakt djeg më shumë. Kjo ngaqë ajo është marrë nga një skuadër më e dobët siç është ajo e Partizanit që renditet në vendin e pestë dhe për më tepër, ka ndodhur në Shkodër, në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Ndeshja e luajtur mbrëmjen e së shtunës është mbyllur me fitoren 74 me 71 në favor të të kuqve. Vllaznia në fakt e ka nisur mirë ndeshjen dhe e ka mbyllur periodën e parë në shifrat 19 me 13 në favorin e saj.

Por me kalimin e minutave, loja ka ardhur duke u ballancuar derisa në periodën e katërt, ka ndodhur e papritura. Partizani e ka rritur shumë lojën e tij dhe duke përfituar edhe nga gabime të njëpasnjëshme të lojtarëve shkodranë, ka arritur të përmbysë shifrat në favorin e tij.

Të kuqtë e kanë fituar këtë ndeshje me rezultatin 74 me 71 duke i treguar Vllaznisë se ka ende shumë për të përmirësuar në lojën e saj. Tashmë kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fundin e fazës së tretë të kampionatit dhe stafit të Vllaznisë i duhet të mendojë për fazën play-off dhe përballjet në gjysmëfinale ndaj Teutës.

Kuptohet që duhet të riparojë gabimet e shumta që po vërehen në këto ndeshjet e fundit sepse nëse nuk ndodh kjo, ëndrra e madhe për të luftuar për fitimin e titullit të 10-të kampion, do të mbyllet shpejt./SHKODRA-SPORT.COM/