Edhe në ditët e vështira Interi di të kapet te “hajmalia”. Për një ndeshje që nuk kishte rëndësi, e megjithatë djeg, Romelu Lukaku theu tabunë Juventus (duke provokuar edhe autogolin e Kielinit) dhe mbi të gjitha u bë lojtari i katërt i historisë zikaltër që shënon së paku 23 gola në kampionat për dy sezone radhazi.

Më përpara ia kishin arritur vetëm Xhuzepe Meaca, Stefano Najers dhe Mauro Ikardi. Dhe me një dopietë ndaj Udinezes do të barazonte llogarinë me sezonin e tij më të mirë, atë me Evertonin (në 2016-’17) ku shënoi 25 herë.

NGA PIKA E BARDHË — Interesant edhe fakti që nga 23 golat në këtë kampionat 6 janë shënuar nga pika e bardhë. Tjetër specialitet i belgut, meqenëse përpara Lukakut lojtari i fundit që kishte shndërruar në gol 12 penalltitë e para të goditura në Serinë A ka qenë Dibala, në vitin 2017.

Edhe të shtunën, portieri në njërin krah dhe topi në tjetrën. Për herën e dytë radhazi Kristiano Ronaldo do ta paraprijë në klasifikimin e golashënuesve, por portugezi nga 11 metrat është hipnotizuar në më shumë se një rast. Lukaku asnjëherë. Dhe titullin këtë herë e merr në shtëpi me meritë Romelu.