Alban Hoxha ishte vendimtar me ndërhyrjet e tij, duke e mbajtur portën e paprekur ndaj Teutës. Pas ndeshjes, për mikrofonat e “Supersport”, kapiteni i të kuqve tregoi edhe çelësin e suksesit të Partizanit këtë sezon.

“Ne erdhëm për të sulmuar lart Teutën, por ndonjëherë loja nuk del ashtu siç e mendoni. Na vendosën në presion që në minutat e para dhe ne duhet të riktheheshim prapa,. Më vjen mirë që e shpëtova dy herë ekipin. Shënuam golin, i cili ishte me fat për ne.

Kur e ke vetë në dorë, është më e lehtë për objektivin, sesa kur pret nga të tjerët. Tashmë kemi dy finale.

Nëse e mposhtim Vllazninë, atëherë me 99% jemi kampionë. Nuk kemi pasur presion gjatë gjithë sezonin. Objektivi që në fillim ka qenë Europa. Kemi qenë të qetë. Arritëm deri këtu, bëmë mirë gjatë gjithë kampionatit. Ndaj Vllaznisë besoj se do jemi të qetë dhe do ia dalim për titullin.

Unë shikoj se ekipi është ndërtuar mirë. Me djem të rinj dhe me lojtarë me eksperiencë. Ne të vjetrit, jemi munduar ta heqim presionin nga të rinjtë. Boshti është shumë i mirë. Çelësi i suksesit është grupi dhe loja e trajnerit Daja na ka bërë mirë. E qarkullojmë shumë topin dhe e e lodhim kundërshtarin. Edhe harmonia e ekipit na ka sjellë suksese.”, tha Hoxha.