Shkëlzen Rustami e ka cilësuar humbjen e sotme të Kastriotit si të pafat, për një episod, përballë Vllaznisë. Zëvendëstrajneri i krutanëve, pas ndeshjes së sotme gjithsesi u shpreh optimist para gazetarëve pasi besonte se ekipi mund të reagonte në ndeshjet e mbetura e siguronte qëndrimin.

“Me të vërtetë rezultati nuk na kënaq, por e dinim që kishim një ndeshje të vështirë përballë Vllaznisë, përballë një ekipi që deri tani ka luajtur futboll të mrekullueshëm e shumë të mirë. Kishim objektiv që të merrnim edhe një pikë, por futbolli ky është, i ka të tre rezultatet.

Pësuam një gol nga një episod që nuk prisnim. Gjithsesi jemi të kënaqur si reagoi ekipi e ka luajtur futboll. Vllaznia është një skuadër shumë e mirë që e meriton të jetë në Kupat e Europës e diçka më tepër. Por ne përsëri kemi objektiva e jemi në lojë.

Jemi të rrezikuar por ka edhe mundësi që të mos biem. Do luajmë në ndeshjen tjetër me besim të plotë se morëm vesh që edhe Bylis ka humbur. Ndaj ka shpresa për të fituar atë sfidë dhe për të vazhduar rrugën në ndeshjet e fundit të paparashikueshme si do të shkojë ky kampionat”, tha Rustami. /vipsport/