Ka shumë nga ata që Partizani-Vllaznia do ta shohin me dorë në zemër. Jo vetëm tifozët e dy skuadrave, por edhe të tjerët që bëjnë tifo për Teutën ose Laçin. Ka edhe nga ata si Sukaj që nuk e dinë akoma se për kë duhet të bëjë tifozllëk dhe për kë do të gëzohen më shumë.

“Ju lutem, vetëm parashikim mos më kërkoni për këtë ndeshje, – thotë ish-bomberi për “Panorama Sport”. – Është kaq e ndërlikuar, saqë e kam të vështirë të them se kush fiton. Edhe me thënë drejtën kam një ndjesi kaq të përzier, saqë nuk e di se për kë do të gëzohem më shumë. Vllaznia e meriton po aq sa Partizani titullin”.

Si ju duket kampionati në këtë pikë të sezonit?

Super kampionat deri më tani. Sepse janë katër ekipe në garë për titullin kampion, kur kanë mbetur vetëm dy javë. Nuk mbaj mend të ketë qenë kaq i bukur.

Vërtet ka qenë i bukur?

Jo më shumë për nga cilësia, por për faktin si po shkon renditja.

A vuloset titulli në ndeshjen Partizani-Vllaznia?

Me shumë mundësi po. Si Partizani, ashtu dhe Vllaznia, janë dy ekipe që bëjnë futboll të mirë. Do të jetë një ndeshje shumë e bukur dhe shumë e luftuar.

A u befasuat nga fitorja e Partizanit në Durrës, duke qenë se nuk e kishte mundur Teutën asnjëherë këtë sezon?

Partizani gjithmonë në Durrës ka luajtur shumë mirë, ka marrë rezultate, sidomos vitet e fundit. Minimumi i mundshëm për Partizanin, ishte barazimi dhe unë e kisha bindje që nuk do të humbnin. Duke e parë që dhe Teuta ishte një ekip shumë i fortë në mbrojtje, mendova se mund të dilte dhe barazim, por Partizani pati shumë raste dhe fitoi.

A mund ta fitojë titullin Vllaznia?

Pa dyshim që po. Do të jetë shumë e vështirë, por shanset i ka. Normalisht, nëse Vllaznia i fiton të dyja ndeshjet, me shumë mundësi është kampione, por nuk e them dot me siguri të plotë.

Pse nuk e thoni dot me siguri?

Shikoni, Vllaznia ka bërë ndeshje shumë të bukura sivjet dhe e gjithë Shqipëria është kënaqur me futbollin shkodran. Por, ka pasur luhatjet e veta dhe kriza e kapi në një moment jo të mirë. E kaloi, por la disa pasoja. Gjithsesi edhe kundër Partizanit do të jetë një ndeshje shumë e vështirë.