Skuadra e Laçit ka zhvilluar pjesën e dytë të kampionatit si një protagoniste e rëndësishme e Superiores dhe iu afrua shumë ëndrrës titull.

Por edhe pse është në garë për trofeun, ekipi kurbinas e di se tashmë asgjë nuk është në dorën e tij, por në varësi të asaj që do të ndodhë në ndeshjen e “Air Albania” mes Partizanit dhe Vllaznisë.

Trajneri Shpëtim Duro e pranon se kjo javë do të jetë përcaktuese për fatin e trofeut dhe ndonëse ekipi ka shanse, duhet që të bëjë llogaritë edhe me atë bën Vllaznia ndaj kryesuesve.

“Janë dy ndeshje shumë interesante, Partizani-Vllaznia ku ata pretendojnë dhe kanë fatin në dorën e tyre. Nëse Partizani fiton dy ndeshjet shpallet kampion dhe Vllaznia gjithashtu. Kurse ne me Teutën kemi prëballje që duhet të fitojmë, por në varësi të rezultatit të Vllaznisë”, tha ai për RTSH.

Por fillimisht Duro mendon se ekipi duhet të sigurojë ndeshjen e vet, e më pas të mendojë për rezultatet e kundërshtarëve. “Patjetër që është ndeshje shumë e rëndësishme me Teutën e do të futemi me synim për ta fituar.

Por është sfidë e vështirë dhe e fortë ndaj një skuadre që ka kryesuar gjatë vitit kampionatin. Duhet t’i bëjmë hyzmetit ndeshjes tonë, pastaj nuk është në dorën tonë, por të Vllaznisë dhe Partizanit”, tha Duro. /vipsport/