Olsi Rama, drejtori i Partizanit, e ka cilësuar si absurde penalltinë që ka dhënë sot Enea Jorgji në ndeshjen ndaj Vllaznisë. Duke mos i hequr meritat shkodranëve, ai theksoi se ishte e pakuptimtë ajo penallti me një hezitim që zgjati një minutë e gjysmë.

“Unë nuk e kam parë asnjëherë atë hezitim, kam parë videon dhe nuk shoh as komunikim me anësorin dhe nuk e di se çfarë ka gjykuar në atë moment.

E kam parë gjestin e Belicës, ai është sikur ka veshur atë këmishën me lidhëse që përdorin në çmendina e dorën e kanë lidhur me trupin. Mbase i blejmë ca këmisha për vitin tjetër dhe nuk di kujt t’ia vesh.

Ka 1 minutë e 25 sekonda që kalojnë, derisa merret vendimi. Nuk ia kam idenë, ta shpjegojnë, ose të kërkoj raportin e arbitrit e të vëzhguesit. Nëse ma japin mua, se ndoshta gazetarëve ua japin më lehtë…

I bëj komplimente Vllaznisë, pa diskutim. Sot nuk ishte Partizani që unë prisja, e kisha menduar ndryshe, ishte meritë e Vllaznisë. Ekipi nëse ka çaluar sot diku dhe e ka shprehur, është çështje karakteri”, tha Rama. /vipsport.al/