Teuta dhe Vllaznia kanë nga 63 pikë kur mbetet për t’u luajtur edhe një ndeshje, por pyetja që bën më tepër kurioz tifozët është se pse durrsakët janë të parët dhe shkodranët të dytët. Rregullorja e klasifikimit u jep një bonus “djemve të detit” sa i përket për golave.

Duket si çmenduri, por dy kriteret e para për pikët e grumbulluara në ndeshjet mes tyre dhe diferencën e golave të shënuar dhe të pësuar ka një barazi totale. Në katër ndeshje të luajtura, Vllaznia dhe Teuta kanë nga nga një fitore 1-0 secila dhe nga dy barazime 0-0. Kësisoji, i kanë marrë 5 pikë njëra-tjetrës.

Sa i përket diferencës së golave ka sërish barazpeshë totale: 1-1. Dhe shkojmë te kriteri i tretë, që është diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit në total. Teuta e ka golavarazhin 36-15, ndërsa Vllaznia 42-22. Durrsakët janë +21 gola, ndërsa shkodranët +20 gola.

Kjo bën edhe diferencën mes dy skuadrave dhe Teuta prandaj është e para. Një gol më tepër sa për titullin, prandaj dhe durrsakët kanë filluar festën, pasi në javën e fundit luajnë me Apoloninë dhe praktikisht i kanë të gjitha mundësitë të marrin një fitore me shumë gola.

Mirëpo, asgjë nuk është e sigurtë deri në fund, pasi në të njëjtën kohë edhe Vllaznia mund të thyejë Laçin në javën e fundit me një diferencë golash që mund ta çojë te titulli. Çdo gjë mund të ndodhë, por në Durrës festa ka nisur tashmë. Më 26 maj në “Niko Dovana” duan t’i japin fund pritjes 27-vjeçare…

RREGULLORJA E KLASIFIKIMIT:

Nëse dy ose më shumë ekipe kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh në përfundim të sezonit, renditja e tyre në tabelën e klasifikimit përcaktohet duke mbajtur në konsideratë kriteret si më poshtë:

a) pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse; b) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;

c) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit për sezonin futbollistik 2020-2021;

d) numri më i madh i golave të shënuar gjatë kampionatit;

e) me short;