Nëse Milani kërkon të jetë pjesë e Ligës së Kampioneve në sezonin e ardhshëm, më parë duhet të kalojë Berat Gjimshitin. Trajneri i Atalantës, Xhiampiero Gasperini, e ka kuptuar gabimin që bëri në finalen e Kupës së Italës dhe do të kthejë në sfidën kundër kuqezinjve mbrojtësin shqiptar.

Gjimshiti u la në stol në mënyrë të papritur në ndeshjen kundër Juventusit, me Gasperinin i cili preferoi Palominon në vend të mbrojtësit shqiptar i cili kishte qenë titullar i rregullt gjatë gjithë sezonit. Ai e aktivizoi futbollistin në fundin e pjesës së dytë, por ishte shumë vonë për të ndryshuar fatin e sfidës që pa Juventusin të bënte të tijin trofeun.

Por në duelin ndaj Milanit, që mund të përcaktoje së e kush mes kuqezinjve dhe Juventusit do të shkojë në Ligën e Kampioneve, Gasperini nuk do të heqë më dorë nga Gjimshiti. Sipas mediave italiane, trajneri ka vendosur që të kthejë mes titullarëve mbrojtësin shqiptar për t’u përballur me sulmin e rrezikshëm të Milanit.

Në teori duket një ndeshje pa vlerë, por Gasperini po bën këtë ndryshim pasi do ta fitojë me çdo kusht, sepse një vend i dytë në Serinë A me Atalantën do të kishte një vlerë thuajse sa një titull kampion, duke pasur parasysh se e kishte arritur me një skuadër që nuk mund të krahasohet kurrsesi me kapacitete financiare të klubeve të tjera. /vipsport/