Lajmin e publikuar nga “Panorama Sport”, se Erald Çinari ka firmosur parakontratë me klubin turk të Samsunspor, tashmë e ka konfirmuar edhe trajneri i Partizanit, Ilir Daja.

Ky i fundit në konferencën para ndeshjes me Bylisin ka thënë se diçka e tillë nuk shkon në etikën morale, sepse Partizani i ka mbështetur në të gjitha drejtimet lojtarët. “Kemi nisur të mendojmë për Europën sepse janë shumë lojtarë në fund të kontratave. Disa prej tyre, siç e ka konfirmuar shtypi kanë firmosur edhe parakontrata, diçka që e lejon edhe FIFA, por në etikën morale kjo nuk shkon sepse Partizani i ka mbështetur në të gjitha drejtimet”, tha Daja.

Erald Çinari do ta mbyllë aventurën me Partizanin, pas përfundimit të sezonit. Sulmuesi shkodran do ta vazhdojë karrierën në Turqi, aty ku pritet të jetë pjesë e skuadrës së Samsunspor, në Ligën e Parë turke. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se lojtari ka firmosur parakontratë me klubin turk prej dy javësh dhe është e sigurt që do ta vazhdojë karrierën aty.

Palët kanë qenë në bisedime prej kohësh dhe pas shumë diskutimeve kanë arritur marrëveshjen që nga sezoni i ardhshëm, lojtari të jetë pjesë e Samsunsporit. Çinarit i përfundon kontrata me Partizanin në fund të këtij sezoni dhe do të largohet si lojtar i lirë.

Çinari ka nënshkruar një kontratë 4- vjeçare me ekipin turk dhe do të përfitojë plot 500 mijë euro. 24- vjeçari do të përfitojë 125 mijë euro në sezon, rreth 10 mijë euro në muaj. Në Turqi klubet kanë kontrata sezonale 12-mujore dhe Çinari do të marrë diçka më shumë se 10 mijë euro çdo muaj.