Sezoni 2020-2021 në futbollin shqiptar është mbyllur me një garë të pashoqe për titullin kampion dhe Europën, por ku ka munguar një protagonist i madh. Kukësi, pas 8 viteve radhazi me pjesëmarrjen e siguruar në Europë e duke luftuar për trofe, këtë vit ka qenë shumë larg pretendimeve dhe nuk siguroi as praninë e vet në aktivitetet ndërkombëtare. Një dështim i jashtëzakonshëm, pasi ka humbur shansin më të mirë që kishte për t’u bërë protagonist i rëndësishëm në Europë.

Gjatë këtyre viteve, duke siguruar rezultate të rëndësishme në arenën ndëkrombëtare, klubi i Kukësit kishte arritur që të çonte koeficientin e vet në UEFA në kuotën 6,000. Një koeficient relativisht i lartë që tregonte qëndrueshmëri në ndeshjet në Europë e që do të garantonte në teori short shumë më të lehtë në aktivitetet e UEFA-s.

Sipas përllogaritjeve të skuadrave që kanë fituar këtë vit kampionatet përkatëse në Europë, rezulton se një koeficient i tillë do t’i kishte mjaftuar verilindorëve për të qenë për herë të parë në vazon e ekipeve të forta në shortin e turit të parë të Ligës së Kampioneve. Një mundësi e humbur për të bërë para në këtë turne, që do të lehtësonte më pas edhe vazhdimësinë në Ligën e Europës apo në Ligën e Konferencës, në vazhdimësi të tureve pasardhëse.

Edhe nëse nuk do të kishte fituar titullin kampion por vetëm nëj vend në Europë, Kukësi do të kishte të sigurt praninë në vazon e ekipeve të forta në dy turet e para të Ligës së Konferencës falë këtij koeficienti, me mundësi jashtëzakonisht të larta për të peshkuar kundërshtarë të lehtë e kaluar turet për një sezon që mund të kishte qenë historik për të.

Kështu, me një sezon si ky i fundit, është hedhur poshtë puna e disa viteve radhazi në Europë, duke sjellë një dëm me peshë të rëndësishme ekonomike përtej atij të mazhit që kishte krijuar skuadra verilindore në elitën e futbollit shqiptar. /vipsport/