Vazhdon ende të flitet shumë finalja e pak ditëve më parë në Champions mes Mançester Sitit dhe Çelsit. Blutë e Londrës të drejtuar nga Tomas Tuhel dolën fitimtarë ndaj ekipit të Pep Guardiolës falë një goli nga Havertz.

Së fundmi, Arsen Venger, i ka dhënë merita Tuhel për mënyrën e vendosjes së ekipit në fushë, ndërsa shton se Guardiola nuk e zgjidhi dot problemin.

“Pep ka humbur tre ndeshje me Çelsin dhe kjo rriti besimin e Bluve. Kështu, Siti ishte më pak i sigurtë. Çelsi kishte besimin se do të fitonte dhe kjo dukej në fushë.

Duhet të them se Tuhel bëri shumë mirë duke vendosur Maunt dhe Havertz më në brendësi të fushës, kështu Siti nuk gjente hapësira dhe duhej të hapej në krahë. Ishte një problem i madh taktikë që Guardiola nuk arriti ta zgjidhte”, u shpreh Venger. /VipSport/