A do të vazhdojë apo jo Thomas Brdariç në pankinën e Vllaznisë në sezonin e ardhshëm? Kjo është pyetja që rëndon në këto momente tifozët shkodranë të cilët kanë parë se si gjermani ndërtoi një skuadër me futboll cilësor dhe që diti të fitojë një trofe që i mungonte prej 13 vitesh kuqebluve.

Fraza “Të shohim” e trajnerit pas fitores së Kupës bëri të lindin shumë pasiguri dhe sponsori i ekipit, Alban Xhaferi, pranoi në “Procesi Sportiv” se nuk ishte 100% e sigurt vazhdimësia e tij.  

“Nuk po them 100%, por po them 90% vazhdon. Edhe Matko, 90% prapë. Nuk mund ta them me siguri. Për mua si Alban është 100% të vazhdojë, por të mbyllet gjithçka njëherë me procesin e privatizimit sa më shpejt që të fillojmë konkretisht punën”, tha ai, duke lënë të kuptohet se kjo pasiguri mbante peng për momentin edhe vazhdimësinë e teknikut gjerman te kuqeblutë.

Një marrëveshe mes palëve që mund të ishte mbyllur në një moment luhatje, kur tekniku për pak orë ishte i shkarkuar nga drejtimi i ekipit pas një humbje me Bylisin.

“Ndoshta ai momenti me trajnerin ishte një moment reflektimi për të na kthyer edhe një herë aty ku duhej”, theksoi Xhaferi. /vipsport/