“Kur mbërrita te Vllaznia, duke e ditur që sezonin e fundit kishin rrezikuar mbijetesën, nuk mendoja se do të shkonim kaq larg. Por, ne e merituam sepse kjo është një skuadër unike”, thotë Viktor da Silva, heroi i Vllaznisë kundër Skënderbeut ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

Braziliani 26-vjeçar flet një italishte perfekte dhe është i bindur se sezonin tjetër, nëse vazhdohet me këtë frymë dhe këtë shpirt sakrifice, Vllaznia mund të bëjë gjëra të mëdha.


Da Silva, çfarë ndjesie është të shënosh në një finale?

Jam i lumtur. Luftuam shumë sot (dje) dhe qëndruam të bashkuar deri në fund. Unë nuk kam shënuar shumë këtë sezon, por ndjesinë e këtij goli dhe të kësaj finaleje do ta mbaj në zemër gjithë jetën.


Kaq e veçantë ishte kjo Kupë me Vllazninë?

Shumë e veçantë. Momenti kur shkuam të festonim me tifozët pas finales ishte i jashtëzakonshëm. Më hynë të dridhurat nga emocionet. Ky qytet e meriton. Na kanë mbështetur shumë dhe kanë besuar pa fund te ne. Edhe kur nuk ishim mirë, edhe kur patëm vështirësi. Jam shumë i lumtur.

A është ky trofeu i parë i rëndësishëm për ju?

Po, është trofeu i parë i rëndësishëm. Kam fituar trofe kur kam luajtur me të rinjtë në Itali, por Kupa e Shqipërisë është vërtetë një arritje e madhe.