Alban Xhaferi pritet të jetë pronari i ri klubit shkodran. Edhe pse ende zyrtarisht njësia e ankandit për shitjen 100 % të aksioneve të Vllaznisë nuk ka dalë me një njoftim publik, gjërat duken në favor të sponsorit aktual të klubit, në krahasim me dy kompanitë e tjera që kanë bërë ofertat përkatëse për blerjen e Vllaznisë.

Çmimi fillestar i vendosur nga Bashkia Shkodër, si autoriteti shitës i klubit Vllaznia, ka qenë 507 milionë lekë të vjetër. Ndërkohë, ashtu siç ka bërë të ditur “Panorama Sport”, kompania që përfaqëson Xhaferi ka ofruar 625 mijë euro ofroi për blerjen e Vllaznisë.

Ndërsa, shifrën më të lartë në seancën e parë të ankandit e ofroi kompania “Joni 5 shpk” me 1.3 milionë euro. Në fazën e dytë të ankandit, zhvilluar pak ditë më parë, për probleme me dokumentacionin dy ofertuesit e tjerë janë skualifikuar.

Mirëpo, kompania që përfaqësonte Almiro Gurakuqi “Carpathia Shpk”, ka dërguar një ankesë duke e konsideruar si gabim njerëzor mangësinë e dokumentacionit në dosje, por gjithçka duket se është rrëzuar përfundimisht.

Kësisoj, tashmë pritet zyrtarizimi i fituesit, por duhet pritur edhe nëse do të ketë ndonjë ankesë nga palët e interesuara në Komisionin e Prokurimit Publik.